SharrCem, Foto: KALLXO.com

Humbi rastin në arbitrazh, AKP-ja i pagoi SharrCem-it rreth 1.8 milion euro

Agjencia Kosovare e Privatizimit e ka humbur rastin në arbitrazhin ndërkombëtar dhe i ka paguar afër 1.8 milion euro “Sharr Beteiligungs GmbH”, privatizuesit të fabrikës së cimentos “SharrCem” në Han të Elezit.

Prej shumës 1.8 milion euro, AKP-ja mbi 1 milion e 350 mijë euro i ka paguar si rimbursim i pjesshëm i interesit ligjor dhe shpenzimeve të tjera të kompanisë të shkaktuara në normën e thjeshtë të arbitrazhit me 4 % në vit nga data e këtij vendimi deri në pagesën e plotë. Ndërsa, mbi 400 mijë euro tjera janë paguar për shpenzimet që i pati kompania në arbitrazh.

AKP-ja transaksionin bankar në xhirollogarinë e “Sharr Beteiligungs GmbH”, privatizuesit të SharrCem-it, e ka finalizuar me 15 prill 2022 komfor vendimit të Tribunalit Ndërkombëtar të Arbitrazhit.

“Më datë 30 mars 2022, Bordi i Drejtorëve i AKP-së ka nxjerr vendim që të bëjë pagesën sipas vendimit të Tribunalit Ndërkombëtar të Arbitrazhit, i cili vendim është i formës së prerë dhe se mos ekzekutimi i tij do e ekspozonte AKP që të paguaj kamata shtesë prej 4% në baza ditore. Si rrjedhojë e kësaj AKP me datë 15 prill 2022 e ka finalizuar transaksionin bankar në xhirollogarinë e Sharr B komfor vendimit të Tribunalit Ndërkombëtar të Arbitrazhit”, thuhet në përgjigjen e AKP-së për KALLXO.com.

AKP-ja ka thënë për KALLXO.com se më 7 mars 2022 Tribunali Ndërkombëtar i Arbitrazhit me shumicë të votave (dy në favor dhe një kundër), kishte vendosur që “Sharr Beteiligungs GmbH”, privatizuesi i “Sharr Cemit” ka të drejtë dhe e fiton rastin.

AKP për përfaqesimin ligjor në këtë kontest deri më tani, i ka paguar rreth 680 mijë euro. Firma Ligjore që e ka përfaqësuar AKP-në në këtë kontest është “Squire Patton Boggs” me seli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kontrata për angazhimin e një kompanie ligjore ndërkombëtare për përfaqësim ligjor të AKP-së në Gjykatën e Arbitrazhit në Hagë, ishte nënshkruar me 23 dhjetor 2019.

“Vlera e kësaj kontrate është 699.000 mijë euro. Deri më tani, AKP i ka ekzekutuar 679.000 mijë euro. Ka mbetur edhe pagesa e fundit sipas kontratës pa u ekzekutuar në shumën prej 20.000 mijë euro”, thuhet tutje në përgjigjen e AKP-së për KALLXO.

Më 9 dhjetor 2010, Agjencia Kosovare e Privatizimit dhe SharrB kishin nënshkruan Marrëveshjen për Shitblerjen e Aksioneve (MSHA) të ndërmarrjes SharrCem me seli Hani i Elezit me një çmim të përgjithshëm të blerjes prej 30.1 milionë euro. Kjo me kusht që kushtet e tregut të mbeten materialisht të pandryshuara, të implementojë një “program investimi” 5-vjeçar, me një vlerë të parashikuar prej 35 milionë eurove.

Më 10 dhjetor 2015, AKP-ja i ka shkruar SharrCem-it duke e informuar se afati për përmbushjen e obligimeve investuese sipas MSHA-së kishte skaduar një ditë më parë. AKP-ja e ka përsëritur se, në përputhje me nenin 5.03 të MSHA, do të angazhonte një firmë për të kryer një auditim për të përcaktuar nëse SharrB kishte përmbushur zotimet e veta për investime në kuadër të MSHA. Agjencia ne vitin 2016 kishte angazhuar firmën ndërkombëtare të auditimit BDO.

Rreth një vit më vonë, më 19 dhjetor 2016, BDO publikoi raportin e auditimit (“Raporti i Parë”). Në raportin e parë është vënë në dukje se SharrCem kishte raportuar 35,170,654 euro në investime ndërmjet periudhës 9 dhjetor 2010 dhe 31 dhjetor 2015. Megjithatë, BDO ka arritur në përfundim se disa nga këto investime të raportuara nuk mund të “klasifikoheshin si investime kapitale për përmbushjen e marrëveshjes së zotimit për investime.”

“Në veçanti, 7.891.000 euro janë paguar për blerjen e aksioneve në tri kompani, Rudmak DOOEL (“Rudmak”), MillCo DOOEL Shkup (“MillCo”) dhe Cement Plus shpk (“Cement Plus”), si dhe 1,495,660 euro të “Investimet në vazhdim”, u konstatuan nga BDO se nuk janë investime kapitale në kuptimin e MSHA’së. 225,757 euro në investime të raportuara që ishin “faturuar dhe kontraktuar” pas 9 dhjetorit 2015 deri më 31 dhjetor 2015 u përjashtuan gjithashtu nga BDO. Si e tillë, BDO i ka konstatuar “investimet kapitale të pranueshme që nga 9 dhjetori 2015” të jenë 25,558,237 euro”, thuhet në përgjigjen e AKP-së.

Në relacion me këtë Sharr B kishte ngritur shqetësimet e saj se mospërmbushja e pjesës tjetër të investimeve kishte rezultuar si shkak i vështirësive në kushtet e tregut që kishin ndodhur në Republikën e Kosovës.

Më 31 korrik 2017, AKP-ja e ka njoftuar SharrCem-in se Bordi i Drejtorëve të AKP-së kishte vendosur të angazhojë “një firmë prestigjioze audituese ndërkombëtare” për të analizuar kushtet e tregut që mund të ndikojnë në zbatimin e programit të investimeve në kuadër të MSHA-së.

Në fund të muajit janar të vitit 2018, saktësisht më 26 janar, AKP-ja ka lidhur kontratë tjetër me BDO-në për të “konstatuar nëse ka ndonjë ndryshim të kushteve të tregut i cili mund të ketë ndikim në realizimin e investimeve kapitale nga blerësit e Ndërmarrjes së Re “Sharrcem” Hani i Elezit”. Në konkluzionin e raportit të saj të përgjithshëm, BDO ka konstatuar se “nuk ka pasur ndonjë ndryshim material në kushtet e tregut që mund të ketë ndikuar në realizimin e investimeve kapitale nga blerësi i Ndërmarrjes së Re ‘Sharrcem’ sh.p.k, Han i Elezit”.

Më 23 nëntor 2018, Bordi i Drejtorëve të AKP-së vendosi që SharrCem “të paguajë” 9,441,768,83 euro “për diferencën e mosplotësimit të investimeve” dhe caktoi afatin e pagesës “60 ditë pune pas njoftimit”.

“Pas marrjes së vendimit nga AKP-ja, SharrCem dhe SharrB i kanë shkruar ndaras AKP-së, duke pohuar se SharrCem nuk ishte palë e MSHA-së dhe për këtë arsye nuk kishte asnjë detyrim sipas kësaj marrëveshje”, thuhet në përgjigjen e AKP-së.

AKP-ja nuk u pajtua me qëndrimet e tyre, dhe më 30 janar 2019, Bordi i Drejtorëve të AKP-së ndryshoi vendimin e mëparshëm duke theksuar se SharrB dhe SharrCem “do të paguajnë” në lidhje me “mospërmbushjen e investimeve.

Më 29 janar 2019, paditësi ka dorëzuar Njoftimin për Arbitrazhin, duke u thirrur në nenin 9.04 të MSHA-së dhe nenin 3 të Rregullave të Arbitrazhit të Komisionit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Tregtisë Ndërkombëtare të rishikuar në vitin 2010 (“Rregullat e UNCITRAL”). Marrëveshja për shitëblerjen e ndërmarrjes e kishte paraparë Klauzolen e Arbitrazhit si mjet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në mes palëve”.