Përfundon 'Java e Arbitrazhit' në Kosovë

Diskutimi lidhur me rëndësia e shfrytëzimit të përfitimeve të arbitrazhit ka qenë fokusi i aktivitetit që ka shënuar përfundimin e Javës së Arbitrazhit në Kosovë.

Deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Dorasa Kica Xhelili ka thënë se edhe pse gjyqësori i Kosovës njihet për zvarritjen e rasteve, është e rëndësishme që politikanët të njoftojnë bizneset që Kosova ka kapacitete të mëdha të metodave alternative të zgjidhjes së kontesteve.

“Parashikueshmëria e kohëzgjatjes në zgjidhje të kontestit dhe mundësia e zgjedhjes së arbitrave ofron komoditet tek palët që të besojnë se gjykimi është i paanshëm,” ka thënë Deputetja Kica Xhelili.

Udhëheqës i Programit të USAID për Drejtësi Komerciale Chris Thompson, tha se arbitrazhi nuk përdoret mjaftueshëm, por po punohet që bizneset ta njohin këtë metodë si mundësi alternative ndaj sistemit gjyqësor dhe të jenë të vetëdijshëm për avantazhet që i ka kjo alternativë.

Ndërsa, Këshilltarja e Jashtme Ligjore e Kryeministrit të Kosovës Tea Blakaj, tha se duke qenë se kontestet komerciale që trajtohen në gjykata hasen në zvarritje dhe jo profesionalizëm, arbitrazhi si metodë alternative e zgjidhjes së kontesteve është më i leverdishëm për bizneset.

Tutje, ajo ka shtuar se krijimi i gjykatës komerciale do të shërbejë edhe në fuqizimin e mekanizmave alternative për zgjidhjen e kontesteve.

Java e Arbitrazhit në Kosovë është organizuar bashkërisht nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Programi për Drejtësi Komerciale i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).

Gjatë Javës së Arbitrazhit 2022, nga mbi pesëmbëdhjetë profesionistë të arbitrazhit në veçanti dhe të fushës ligjore në përgjithësi, janë trajtuar aspekte të ndryshme të arbitrazhit siç është njohja e aktvendimeve të arbitrazhit, si dhe proceset dhe implikimet e rasteve të arbitrazhit, ndërsa në mënyrë të veçantë është folur edhe për rolin e grave profesioniste në arbitrazh, thuhet në njoftim.