Telekomi i Kosovës, Foto: KALLXO.com

Shatri: Telekomi nga kontrata me “Z-Mobile” humbte nga 10 milionë euro në vit

Rreth 13 milionë euro ndërmarrja publike Telekomi i Kosovës detyrohet t’ia paguajë kompanisë “Z-Mobile” pasi humbi një rast në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

Vendimi, për të cilin KALLXO.com raportoi dje, është joprofesional, ka vlerësuar ish-kryesuesja e bordit të Telekomit, Besa Shatri.

Sipas saj, Arbitrazhi mori vendim për një kontratë e cila veçse ishte e skaduar.

“Pjesa e çuditshme brenda vendimit të Arbitrazhit, e cila edhe nga  aspekti ligjor edhe nga ai financiar nuk ka ndonjë kuptim. Arbitrazhi ka draftuar si të thuhet, kushtet e reja të kontratës, që i bjen që ka thënë se, unë po e dënoj Telekomin për një kontratë e cila nuk ka ekzistuar realisht, ka vendosur fitime të humbura për “Z-Mobile” mbi bazën e një kontrate komplet të re me kushte të reja të cilat i ka draftuar vetë Arbitrazhi”, ka thënë ajo në emisionin “Kallxo Përnime”.

“Unë nuk kam pa ndonjëherë vendime të tilla të Arbitrazhit”, ka vlersuar Besa Shatri.

Por, ajo thotë se vendimi i Arbitrazhit duhet të ankimohet.

“Unë po besoj  që pjesa me kompenzu fitimet e humbura për një kontratë që nuk ka ekzistuar vetë Arbitrazhi është joprofesional dhe Telekomi ish dashtë me ataku me të gjitha mjetet ligjore që i ka në dispozicion”, tha ajo.

Besa Shatri ishte njëra prej dëshmitareve në rastin e Telekomit në Arbitrazh. Ajo ka treguar se për çfarë është pyetur në Gjykatën e Arbitrazhit.

“Pyetjet në Arbitrazh kanë qenë se a skadon kontrata më 30 korrik apo duhet të vazhdojë tutje edhe zhvillimi i negociatave sipas kushteve të kontratës bazë që ka qenë e nënshkruar që kërkonte që negociatat të zhvilloheshin në mirëbesim. Vendimi e dënon Telekomin që nuk ia ka dhënë një ofertë të pranueshme në linjë me atë çfarë ka qenë kontrata ekzistuese”, tha ajo.

Nga kontrata me “Dardafon”-in , ndërmarrja publike kishte pasur humbje vjetore prej 10 milionë euro.

“Ekspertët e angazhuar kanë faktuar me gjetje që Telekomi nga kontrata me “Z-Mobile” ka pësuar humbje vjetore prej 10 milionë eurove në vit. Nëse e marrim e llogarisim, nga viti 2019, kur nuk është vazhduar tutje kjo kontratë deri më tani, Telekomi i ka kursyer 30 milionë euro. Këto gjetje dhe fakte është e pabesueshme që deri me sot nuk ka marrë askush veprime”, deklaroi Besa Shatri në “Kallxo Përnime”.

“’Z-Mobile’ ka pasur shumë ofrime pa pagesë, shumicën e shërbimeve i ka dhënë pa pagesë e këto shërbime i kanë kushtuar para Telekomit sepse komplet infrastruktura është pasuri e Telekomit, mirëmbajtjen e paguan Telekomi. ‘Dardafon’ ka qenë thjesht një rishitës i shërbimeve tona”, thotë ajo.