Foto: KALLXO.com/Atdhe Mulla

Hulumtuesit: Ende ka gjasa që ngrohja globale të kufizohet në 1.5 shkallë Celsius

Ende ka mundësi që bota të shmangë pasojat më të rënda të ndryshimit të madh klimatik dhe t’i kthehet qëllimit të qeverive për kufizimin e ngritjes së temperaturës botërore për 1.5 shkallë Celsius nëse merren veprime konkrete ndaj emetimeve të gazeve serrë, thuhet në një vlerësim të ri shkencor, ka raportuar të enjten (06.11.2025) gazeta “The Guardian”.

Raporti “Climate Analytics” thekson se qëllimet e qeverive janë të papërshtatshme dhe se duhet të rishikohen menjëherë, dhe bën thirrje për përshpejtim masiv të burimeve të rinpërtërishme të energjisë dhe për elektrifikimin e sektorëve kryesorë të transportit, ngrohjes dhe industrisë.

Liderët botërorë po takohen në Belem, qytezë në afërsi të Amazonës në Brazil, ku për dy ditë me radhë do të diskutojnë për krizën klimatike para samitit të OKB-së për klimën, Cop30m, që pritet të fillojë të hënën.

Temnperaturat tashmë për dy vjet me radhë kanë kaluar limitin prej 1.5 shkallë Celsius të ngrohjes globale mbi nivelet paraindustriale të botës që ishte përcaktuar në Marrëveshjen e Parisit për Klimën qysh më 2015.

Një raport i Programit të Mjedisit të OKB-së, publikuar gjatë javës, thekson se planet aktuale të qeverive për kufizimin e ngrohjes do të çojnë në ngritje të temperaturës prej 2.3 deri në 2.5 shkallë Celsius, nivel për të cilin shkencëtarët kanë thënë se do të shkaktojë mot ekstrem dhe dëme shkatërrimtare në disa prej sistemeve kritike natyrore të botës.

Grupi i studiuesve të “Climate Analytics” thotë se plani i tyre mund të sigurojë që temperaturat maksimale të arrijnë 1.7 gradë Celsius para vitit 2050. Ata thonë se kjo shifër mund të ulet në 1.5 gradë Celsius deri në fund të shekullit, duke hequr gradualisht lëndët djegëse fosile dhe duke përdorur teknologjitë e heqjes së karbonit për të thithur dyoksidin e karbonit nga atmosfera.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com