Hoxhiq: Personi i paraqitur si polic m'i kërkoi 30 mijë euro
Ish-kandidatja për deputete, Adriana Hoxhiq ka qenë cak i një personi i cili është paraqitur si polic hetues dhe ka kërkuar një shumë të parave për mbylljen e një rasti.
Hoxhiq për KALLXO.com ka bërë të ditur se ky person është arrestuar tashmë nga policia dhe ka dhënë sqarime se ai i kishte kërkuar 30 mijë euro para.
“Ky person me ka kontaktuar para disa ditësh dhe është munduar që të më fut në lojë ku me prezantonte mua si një person që ka probleme me ligjin dhe ka kërkuar para prej meje, ka qenë shuma 30 mijë euro për mbyllë një rast që ai thoshte se unë e kam dhe po dëshiron me më ndihmu mua”, tha ajo.
Ajo theksoi se pas kësaj ajo e ka njoftuar policinë dhe ka bërë të ditur se personi ka insistuar që të takohet jashtë zyrës së saj.
“Por, unë jam e bindur që jam e pastër dhe duke respektuar ligjin dhe menjëherë e kam dorëzuar në polici dhe në bashkëpunim me policinë ky person është i nxënë dhe arrestuar. Ky person më ka thirre në telefon dhe është prezantuar sikurse zyrtar hetues dhe kam ftuar që të vjen në zyrën time dhe të shohim se çka bëhet fjale, por ky ka insistuar që të jemi jashtë zyrës se kishe ai dëshironte të më ndihmojë për më mbyllë rastin, sipas tij për një shërbim nga komuna, por jo korrupsion a diçka”, shtoi Hoxhiq për KALLXO.com.
KALLXO.com ka kontaktuar edhe Policinë e Kosovës, por deri në momentin e publikimit të artikullit, nuk kanë kthyer përgjigje.