Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Adriana Hoxhiq komenton planin që votat e Listës Serbe t’i shkojnë asaj
Kandidatja për deputete në Kuvendin e Kosovës dhe nënkryetarja për komunitete në Komunën e Mitrovicës së Veriut, Adriana Hoxhiq, në “Kallxo Pernime” ka komentuar akuzat e përfaqësuesve politikë të pakicave në Kosovë se Lista Serbe është duke planifikuar që t’i shpërndajë votat te komunitetet e tjera, në mënyrë që ta rritë grupin e saj parlamentar në mbi 10 deputetë.
Në “Kallxo Pernime”, Hoxhiq thotë se nuk ka asnjë marrëveshje me Listën Serbe.
“Sa i përket votave që vijnë nga komuniteti serb, unë mendoj që është një lojë politike, një prezentim që nuk është real dhe bëhet nga subjektet politike. Unë mund të them me plot dinjitet dhe siguri që nuk ka kurrfarë marrëveshje ndërmjet Listës Serbe dhe Iniciativës qytetare, komuniteti i bashkuar, Adriana Hoxhiq për këto zgjedhje”, ka thënë Hoxhiq në “Kallxo Pernime”.