Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Hoxhiq: Pres vota nga komuniteti serb, shqiptar, goran e boshnjak
Kandidatja për deputete, Adriana Hoxhiq, tha në emisionin “Kallxo Pernime” se ajo pret të marrë vota nga të gjitha komunitetet që ekzistojnë në Kosovë dhe jo vetëm nga komuniteti i saj boshnjak.
“Unë nuk pres vota vetëm nga komuniteti boshnjak, unë pres vota edhe nga komuniteti shqiptar, goran, turk edhe nga komuniteti serb, sepse tërë jetën time, prej ditës së parë, që nga 1999, unë kam kontribuar për bashkëjetesë dhe kam punuar me të gjitha komunitetet. Unë për këtë mburrem”, tha Hoxhiq në “Kallxo Pernime”.
Ajo thotë se këtë pritje e bazon në faktin se më 2013, kur ka qenë kandidate për kryetare të komunës, ka marrë vota nga të gjitha komunitetet në Mitrovicë të Veriut.
“Kjo është hera e parë që marr pjesë në zgjedhje qendrore. Në zgjedhjet e 2013 kam marrë pjesë në zgjedhjet lokale. Atëherë, Adriana Hoxhiq ka qenë e votuar edhe nga serbët edhe nga shqiptarët edhe nga boshnjakët, turq e goranë. Unë shpresoj që me punën time e kam merituar që t’i kem votat nga të gjitha komunitetet sepse kam punuar me të gjitha komunitetet. Angazhimi im lidhet me bashkëjetesën, që ekziston në Mitrovicë të Veriut”, tha Hoxhiq.
“Më 2013, Adriana Hoxhiq i ka pasur afër 1 mijë vota. Kurse në të njëjtën garë e kemi pasë kandidatin nga Lista serbe dhe PDK. Asnjë votë e imja nuk ka qenë e blerë dhe asnjë votë nuk është marrë me presion”, tha ajo.
Ndonëse nuk ka qenë asnjëherë pjesë e garës për zgjedhje parlamentare, Hoxhiq ishte emëruar ministre në Qeverinë Haradinaj, e cila kishte koalicion me PAN-in.
E pyetur se si u emërua ministre në Qeverinë Haradinaj, pa qenë asnjëherë pjesë e garës zgjedhore, ajo thotë se ka marrë ftesë nga ish kryeministri Ramush Haradinaj.
“Me kërkesën e Ramush Haradinajt jam bërë ministre. Kam marrë ftesë nga kabineti, sepse unë jam në procese politike që një kohë të gjatë”, tha Hoxhiq.