Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Adriana Hoxhiq: Nuk kam marrëveshje me Listën Serbe që të votohet Iniciativa ime

Kandidatja për deputetë nga komuniteti boshnjak, Adriana Hoxhiq, tha se nuk ka asnjë marrëveshje me Listen Serbe, siç është pretenduar ditëve të fundit nga përfaqësues politikë të pakicave në Kosovë.

Përfaqësues politikë në Kosovë kanë denoncuar në “Kallxo Pernime” planin e Listës Serbe që të shpërndajë votën e komunitetit serb në komunitete të tjera, në mënyrë që të rrisin numrin e deputetëve më shumë sesa 10 vendet e rezervuara.

Hoxhiq në “Kallxo Pernime” tha se nuk ka asnjë marrëveshje me Listën Serbe.

“Nuk jemi marrë vesh që me na sjellë votat. Lista Serbe është legjitime në Kosovë. Nuk është e vërtetë që kam marrëveshje me Listën Serbe. Bashkëpunimi im me përfaqësuesit e Listës Serbe në komunën e Mitrovicës Veriore nuk e ka dëmtuar asnjë komunitet”, tha Hoxhiq.

“Nëse unë marr besimin e qytetarëve, do të punoj vetëm për interesat e komunitetit tim. Komuniteti im është komuniteti boshnjak”, shtoi ajo.