Erden Atiq akuzon ish-nënkryetaren Adriana Hoxhiq për segregim

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, ka thënë se shtëpitë e djegura gjatë luftës që janë duke u rindërtuar janë projekt i Qeverisë së Kosovës, konkretisht Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.

Ai në “Kallxo Përnime” ka akuzuar ekzekutivin paraprak të kësaj Komune si dhe ish-nënkryetaren e saj, Adriana Hoxhiq, për bllokim të punëve.

“Menjëherë ka shkuar në vend ku ka qenë duke u ndërtu dhe u ka kërkuar leje, kemi dëshmitarë të panumërt në këtë aspekt, edhe mediat kanë incizime që kanë marrë pjesë në ato fërkime e ballafaqimet me polici. Ndërsa kur kanë shkuar në Komunë personat që kanë kërkuar leje ndërtimore, s’kanë pasur qasje deri te Drejtoria e Urbanizmit ose Kadastrit, për shkak të politikave të segregimit që i ka bërë Lista Serbe, nuk kanë mundur të vijnë as deri te formularët e aplikimit” – tha Atiq, duke shtuar që prej se ka ardhur ai në krye të Komunës kanë ndryshuar këto gjëra.

“Jemi në procedura të rekrutimit të atyre zyrtarëve që lëshojnë leje. Përafërsisht janë 250 kërkesa për leje ndërtimore të të gjitha natyrave. Deri tash s’kemi lëshuar leje sepse na kanë munguar zyrtarët që e kryejnë këtë punë. I kemi hapur pozitat deri tash janë pranuar 18 zyrtarë edhe janë konkurset e tjera që janë duke u zhvilluar” – tha Atiq.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq ka folur edhe për pagat fiktive në Komunën e Mitrovicës së Veriut.

“I kemi ndaluar pagat e vendeve të punës fiktive, d.m.th. personat të cilët kanë marrë pagë nga komuna, kanë figuruar si punëtorë, mirëpo s’kanë ardhur në vendin e punës por kanë nejtë në shpi. Ka pasë zyrtarë në kuadër të Drejtorisë së Arsimit, të Shëndetësisë, në do farë vende të çuditshme dhe ne kemi lypë dëshmi të vijueshmërisë së punës. Në momentin që nuk na kanë ofruar i kemi ndërprerë më shumë se 70 kontrata të vendeve të punës fiktive” – ka thënë Atiq.

Kallxo.com ka folur edhe me ish-nënkryetaren e kësaj Komune, Adriana Hoxhiq, e cila i ka mohuar këto akuza.

Ajo lidhur me ndërtimin e shtëpive ka thënë se nuk ishte në kompetencën e saj të marrë ndonjë vendim lidhur me këtë.

“Atiqi ose nuk është i informuar ose qëllimisht po shpif. Ndërtimi i shtëpive në Veri të Mitrovicës në mandatin tim asnjëherë nuk ka qenë në kompetencën e komunës së Mitrovicës së Veriut. Ndërtimin e shtëpive përsipër e ka pasur Bordi i Përbashkët në përbërje: dy kryetarët të dy Mitrovicave, reprezentues të Ministrisë për Kthim dhe MAPL-së si dhe qytetarët e të dy komuniteteve të Kroit të Vitakut. Është e vërtetë që unë kam dalë në terren, por vetëm kur kemi pasur tensione në atë pjesë të qytetit, dhe shpeshherë intervenimi nga ana ime është kërkuar nga niveli qendror, Prishtina” – ka thënë Hoxhiq për Kallxo.com.

Ndërsa sa u përket pagave të ndërprera, ajo ka thënë se kryetari i tanishëm Atiq “i la pa bukë një numër të konsiderueshëm të shqiptarëve, shpresoj që institucione relevante do të merren edhe me hulumtimin e këtij procesi”.

“Të gjithë të punësuarit kanë qenë të sistemuar në përputhje me përshkrimin e punës, përveç atyre të komunitetit shqiptar për të cilët obligimet e tyre janë akomoduar për vet faktin që procesi i integrimit të arsimit dhe shëndetësisë nuk ka përfundu. Këta të punësuar kanë dhënë kontributin e tyre përmes dy departamenteve komunale, atij te shëndetësisë dhe të arsimit, në procese të ndryshme që këto drejtori  i kishin në atë moment” – ka shtuar tutje Hoxhiq.