Enver Hoxhaj, FOTO: KALLXO.com

Hoxhaj: Sot është një ditë plot dhembje për qytetarët e Kosovës

Pas mbledhjes së sotme të Kryesisë së Kuvendit, deputeti Enver Hoxhaj nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ka folur për fillimin e gjykimit kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Hoxhaj ka thënë se sot është një ditë plot dhembje.

“Sot është një ditë plot dhembje për qytetarët e Kosovës, dhe shqiptarët kudo që jetojnë në Ballkan, meqë filloi procesi në Hagë kundër presidentit Thaçi, kundër kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, kundër kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, dhe shefit të grupit parlamentar të  Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi” – ka thënë ai, teksa ka theksuar se të gjithë këta bartës të institucioneve janë zgjedhur pikërisht nga Kuvendi i Kosovës.

Hoxhaj ka vlerësuar se kjo është një fazë e vështirë, plot dhembje dhe e padrejtë për Kosovën.

“Dua të them që kjo është një fazë e re për republikën e Kosovës, një fazë ë vështirë, plot dhembje  por edhe një fazë padyshim e padrejtë, por me të cilën fazë të padrejtë të një procesi gjyqësor ne jemi të sigurt që do të përmbyllet me një drejtësi të re meqë do të kthehen të gjithë fitimtarë, faqebardhë në një proces të tillë” – ka vijuar deputeti i PDK-së.

Ai tutje ka theksuar se të gjithë krerët e UÇK-së janë heronj  të luftës, janë heronj të paqes.

Mijëra qytetarë nga të gjitha anët e Kosovës, por edhe më gjerë, vërshuan dje sheshet e Prishtinës në kuadër të Marshit për Drejtësi.

Marshi është përkrahur edhe nga parti politike, drejtues të institucioneve dhe organizata të ndryshme.

Sot ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe tre bashkëluftëtarit e tij, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, kanë dalë para Gjykatës Speciale në Hagë, për t’u gjykuar për akuzat që i lidhin me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Të katërtit, ish-udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë deklaruar të pafajshëm.