Hoxha: Kurti do të duhej që të kërkonte falje në Kuvend ndaj familjarëve të të pagjeturve

Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eliza Hoxha në seancën e sotme të Kuvendit, ka folur në lidhje me takimin e 2 majit, në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësim të BE-së, në të cilin edhe u miratuar deklarata për personat e zhdukur.

Hoxha tha se korridori të cilin e përshkojnë deputetët për të arritur në sallën e seancave të Kuvendit, është i mbushur me rrëfime të familjarëve të të pagjeturve.

Ajo tha se me 2 maj në Bruksel, rrëfimi i tyre është rrokullisur.

“Besoj që se të gjithë sa herë të vini në këtë seancë kaloni nëpër korridorin i cili sjell rrëfime të familjarëve të pa gjeturve. Shumë nga ju jeni ndjerë të turbullu. Me 2 maj në Bruksel, rrëfimi i tyre është rrokullisur, dhimbja e tyre është përmbysur, është barazuar dhe barazh vleftësuar. Kryeministri ka shpikur një term të ri ‘forcibly disappeared’ i cili nuk ekziston në konventat ndërkombëtare të OKB-së e që nuk njihet as si kategori juridike. Që i bie për ta thjeshtësuar, asnjë obligim juridik Serbia nuk e ka me çështjen që lidhen me të pa gjeturit”- tha deputetja.

Hoxha theksoi se kryeministri Kurti sot do të duhet të ishte prezent në seancë që sipas saj, të kërkojë falje ndaj familjarëve të të pagjeturve.

“Duke e lënë në ndërgjegjen e kryeministrit i cili ka ushtruar dhunë, ka instrumentalizuar çështjen e të pagjeturve kur ka qenë në opozitë dhe ka premtuar se do të ketë kërkim falje kur të ulet herën e parë në tavoline me Vuçiqin dhe ka marrë pushtet me këtë premtim, sot besoj që ai do të duhej këtu të kërkojë falje, ai personalisht ndaj nënave dhe familjarëve të të pagjeturve”- u shpreh Hoxha.

Të martën me 2 maj në Bruksel kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, kanë miratuar deklaratën për personat e zhdukur, teksti i të cilit ishte dakorduar në prill të këtij viti pas takimit trepalësh në Bruksel mes zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe kryenegociatorit serb, Petar Petkoviq.

Çfarë parasheh Deklarata për personat e zhdukur, e miratuar në Bruksel?