FOTO: KALLXO.com

Hoxha: Janë sekuestruar armë, municione, eksploziv, uniforma të Policisë së Kosovës e pajisje të tjera

Policia e Kosovës në një operacion në Zveçan, te ura e hekurt, në pjesën e Rudarës, ka gjetur armë e municione si dhe uniforma të Policisë së Kosovës.

Këtë e ka bërë të ditur drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, në një konferencë të jashtëzakonshme për media, të mbajtur në Drejtorinë rajonale Mitrovicë-Veri të Policisë.

Sipas Hoxhës, në këtë operacion janë sekuestruar 1,588 municione ose fishekë, 10 armë të gjata, 62 copë ‘shok-bomba’, 1.5 kilogram eksploziv plastik, një palë dylbi, katër radio-lidhje, 1 shurdhues, 33 karikatorë të mbushur, 8 karikatorë të zbrazët, 7 maska, 1 anti-plumb, 2 pllaka anti-plumbash, një uniformë e ushtrisë serbe, dhjetë uniforma të Policisë së Kosovës si pjesë e uniformës, pajisje për dron dhe pajisje rezervë për armë.

Drejtori Hoxha tha se Policia është duke e intervistuar një person nën dyshimin për përfshirje në këtë rast.

Shënim: Ky artikull është edituar te pjesa ku flitet për sasinë e armatimit të sekuestruar. Koha e editimit: 14.05.2024, ora 20:46.