Hovenier: Prioritet e kemi anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkim Evropian

Ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier ka thënë se prioritet i vendit të tij, është anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkim Evropian.

Hovenier në samitin e Ballkanit Perëndimor ‘’The Western Balkans Summit 2022” ka thënë se paqja, siguria dhe prosperiteti janë urgjente pas agresionit rus mbi Ukrainën.

“Prioritetet tona janë për një rajon me paqe, siguri dhe prosperitet, ky vizion nuk edhe i ri po më urgjent pas sulmit brutal të Rusisë ndaj Ukrainës. Prioriteti ynë më i lartë në Ballkanin Perëndimor është mbështetja për anëtarësimin e vendeve në BE. Një prej gjerave qe me së shumti më pëlqen është të takohemi me të rinj të Kosovës, sepse janë potencial”- tha ai.

Ambasadori Hovenier ka folur edhe për vizionin e SHBA-së për Kosovën.

“Mund të punohet ende më shumë për qytetarët. Jeni një shtet që keni institucione që herë pas here nuk e kanë përvojën, jeni vetëm 14 vjet shtet, dhe disa institucione kanë nevojë për mbështetje për të ofruar shërbime. Të gjithë këto janë me qëllim drejt të ardhmes evropiane. Në rastin e Kosovës dëshirojmë që të arrihet ky vizion”- tha ai.

Në Prishtinë sot po mbahet samitit i Ballkanit Perëndimor ‘’The Western Balkans Summit 2022’’, organizim i The Economist, në bashkëpunim me Zyrën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës.

Ndërtimi i urave për paqe, prosperitet dhe solidaritet është tema e këtij samiti.