Hoti takohet me rektorët e universiteteve publike, flasin për profilizimin e tyre

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka pritur sot në takim rektorët e universiteteve publike, me të cilët ka biseduar për zhvillimet në arsimin universitar në vend.

Në konferencën për media, pas takimit, Hoti tha se rektorët i ka njoftuar me programin qeverisës për fushën e arsimit dhe kanë evidentuar në detaje, bashkë me zëvendëskryeministrin dhe anëtarët e kabinetit, disa nga prioritetet më urgjente që kanë këto universitet.

“U dakorduam për takimet e rregullta sa u përket prioriteteve që kemi ne në program, duke filluar nga ndryshimet e nevojshme ligjore që duhet të ndodhin në arsimin e lartë për t’i përgatitur këto institucione për nevojat e tregut të punës në Kosovë dhe më gjerë”, tha kryeministri Hoti, duke theksuar se rektorët e universiteteve i ka njoftuar edhe për orientimin e qeverisë për të themeluar Fondin e përsosmërisë për të financuar individë dhe programe të ndryshme në këto universitete, që tregojnë cilësi të lartë dhe konkurrencë në treg, në veçanti në studime të doktoratës.

Sipas njoftimit për media, Hoti tha se me rektorët janë pajtuar edhe për nevojën që të punojnë së bashku për të profilizuar universitet publike.

“Do t’i ndihmojmë të gjitha këto institucione që të plotësojnë kushtet sa i përket kërkesave që ka Agjencia për Akreditim e Kosovës dhe gjithashtu u dakorduam për disa veprime të menjëhershme që duhet të ndodhin në arsimin e lartë publik sa i përket miratimit të statuteve në Kuvendin e Kosovës të universiteteve, në mënyrë këto universitete të kenë mundësi të rrisin pavarësinë dhe autonominë e tyre nga Ministria e Arsimit, përfshirë edhe pavarësinë financiare duke filluar nga 1 janari i viti 2021”, tha Hoti.

 Rektori i Universiteti të Prishtinës, Marjan Dema, duke folur për takimin me kryeministrin Hoti dhe rektorët e tjerë,  tha se kjo ishte një nismë që vërtet ka munguar, që të kenë takime me kryeministrin.

“U dakorduam për shumë vendime, për shumë ndryshime pozitive që duhet të ndodhin në arsimin e lartë dhe të gjithë ishin të një mendimi që së bashku, ato ndryshime pozitive mund t’i bëjmë realitet dhe ky realitet do të ketë efektin e vet që nesër, pasnesër, të përgatisim të diplomuar, të cilët do të jenë liderë të mirë, inovativë, do të kenë ide”, tha rektori Dema.

 Ndërsa, kryesuesi i Konferencës së Rektorëve, njëkohësisht rektor i Universitetit të Gjilanit “Kadri Zeka”, Bajram Kosumi, pasi falënderoi kryeministrin për qasjen ndaj politikave të arsimit të lartë, tha se sot u bisedua për politikat kryesore të Qeverisë në arsimin e lartë dhe se kjo është një qasje shumë pozitive që të flitet me përgjegjësit kryesorë për arsimin e lartë, që janë universitetet publike dhe rektorët e këtyre universiteteve.