Hoti sot një javë në Uashington, tregon pritjet nga takimi për dialogun

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka dekaruar se nga takimi në Uashington më 27 qershor presin të rifillojë dialogu me Serbinë.

“Presim të rifillojmë procesin e dialogut. Fokusi siç është bërë tanimë e ditur nga zyrtarë të administratës amerikane në bashkëpunimin ekonomik mes të dy vendeve”, tha ai sot para gazetarëve në Pejë.

Hoti shtoi se me kabinetin qeveritar janë duke zhvilluar projekte madhore për ekonominë.

“Tani bashkë me ministrin e infrastrukturës dhe kabinetin qeveritar ne jemi duke i zhvilluar idetë tona, projekte madhore infrastrukturore që e ndryshojnë kompet peisazhin ekonomik në Kosovë dhe në krejt regjionin. Janë disa projekte që unë besoj që për një periudhë afatmesme do ta kthejnë Kosovën në qendër të aktivitetetit ekonomik në nivel të regjionit”, tha ai.

Ambasada e SHBA-ve në Kosovë ka bërë publike një deklaratë të emisarit të Presidentit Donald Trump, Richard Grenell, i cili citohet të ketë thënë se takimi i 27 qershorit është një mundësi që i hap derën zhvillimit ekonomik.

“Mundësia e Shtëpisë së Bardhë hap derën e zhvillimit të ri ekonomik dhe investimeve. ShBA shpreson se liderët në Kosovë dhe Serbi do ta shfrytëzojnë këtë shans për t’u rikthyer në dialog dhe për të filluar një epokë të re të stabilitetit dhe prosperitetit. Njerëzit e këtij rajoni nuk meritojnë më pak”, citohet të këtë thënë Grenell.

Më 27 qershor, liderët nga Kosova dhe Serbia pritet të takohen në Shtëpinë e Bardhë.

Grenell: Takimi në Shtëpinë e Bardhë mundësi për fillimin e epokës së stabilitetit