Hoti: Sektori privat do ta ketë mbështetjen e Qeverisë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, i shoqëruar nga ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuqi dhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, ka vizituar sot kompaninë “Eurometal” në Ferizaj, ku është pritur nga pronari i kompanisë, Njazi Musliu.

“Është vërtet një kompani që e marrim si model se si mund të zhvillohet sektori privat me rreth 110 punëtorë, me 70 për qind të prodhimit që eksporton jashtë dhe atë në vendet si Norvegjia, Suedia, vende të ndryshme në BE, që nënkupton përmbushje të standardeve më të larta të cilësisë së produkteve, gjithashtu edhe në regjion”, tha Hoti.

Sipas komunikatës, Hoti ka treguar mbështetjen e qeverisë ndaj sektorit privat përmes politikave qeveritare, përmes Pakos për rimëkëmbje ekonomike, e cila, siç tha ai, pritet që shpejt të fillojë të zbatohet në praktikë dhe të kalohet nga pjesa e ndihmës emergjente për bizneset kah rimëkëmbja dhe zhvillimi ekonomik, me disa instrumente që janë pjesë e programit qeverisës.

“Ministrat veç e veç nëpër sektorë të vet janë duke i zhvilluar tanimë ato instrumente dhe po presim që shumë shpejt, sapo të miratohet buxheti, ne të fillojmë në mënyrë sa më intensive të mbështesim sektorin privat edhe përmes resurseve tona si qeveri, por edhe përmes granteve, donacioneve dhe kredive ndërkombëtare, një pjesë e të cilave u miratuan para dy ditësh në Kuvendin e Kosovës”, u deklarua Hoti.