Avdullah Hoti. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hoti për misionin e FSK-së: Krenar që në mandatin tonë qeverisës siguruam mbështetjen amerikane për këtë mision

Ish-kryeministri i vendit dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se misioni i parë ndërkombëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Kuvajt është moment i jashtëzakonshëm, teksa shton se është krenar që në mandatin e tij qeverisës “arritën të sigurojnë mbështetjen amerikane” për të realizuar këtë mision.

Sipas Hotit, misioni i parë ndërkombëtar i FSK-së në Kuvajt, në krah të ushtrisë të SHBA-së, është realizim i vizionit të themeluesve të shtetit të pavarur të Kosovës dhe ëndrrës së të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës.

“Misioni i parë ndërkombëtar i FSK-së në Kuvajt, në krah të ushtrisë të SHBA-së, është realizim i vizionit të themeluesve të shtetit të pavarur të Kosovës dhe ëndrrës të të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës. Ky është moment i jashtëzakonshëm për ne që e duam Kosovën si shtetin tonë të përhershëm, që besojmë fuqishëm dhe angazhohemi për përhershmërinë e Kosovës së pavarur, të integruar në BE dhe NATO dhe në miqësi të përhershme me SHBA. Jam krenar që në mandatin tonë qeverisës arritëm të sigurojmë mbështetjen amerikane për të realizuar këtë mision”, ka shkruar ish-kreu i ekzekutivit kosovar në rrjetin social “Facebook”.

Disa pjesëtarë të Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK), janë bërë pjesë e një misioni të parë paqeruajtëse krah ushtrisë amerikane me mision në shtetin e Kuvajtit.

(FOTO) Historike – zbarkimi i parë i FSK-së krah ushtrisë amerikane në Kuvajt