Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti në Bruksel, 25 qershor 2020, Foto: Zyra e Kryeministrit

Hoti mban takimet në Bruksel

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, është duke qëndruar për vizitë zyrtarë në Bruksel.

Zyra e Kryeministrit ka bërë të ditur, se Hoti gjatë vizitës zyrtare në Bruksel, takimin e parë e ka zhvilluar me Kryesuesin e Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian, David McAllister, me të cilin bisedoi për procesin e liberalizimit të vizave dhe procesin e integrimit evropian të Kosovës.

Pas vizitës në Bruksel Hoti ka pasur në agjendë shkuarjen në Washington në takimin e 27 qershorit  lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, por paraditen e sotme ka njoftuar se e ka anuluar udhëtimin për shkak të zhvillimeve të fundit në Kosovë, pas aktakzuës nga Prokuroria e Specializuar ndaj presidentit Hashim Thaçi.

Ndërkaq, sipas njoftimit kryeministri Hoti gjatë takimit ka biseduar për procesin e dialogut dhe zhvillimet e fundit politike, me ç’rast ka shprehur orientimin properëndimor të Republikës së Kosovës.

Hoti me këtë rast ka thënë se Qeveria e Kosovës është e angazhuar në avancimin e proceseve demokratike në vend, thellimin e bashkëpunimit rajonal ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, në funksion të proceseve integruese evropiane.

Ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka bërë të ditur se në Bruksel do të takohet me kryetaren e Komisionit Evropian,  Ursula von der Leyen, kryetarin e Këshillit Evropian, Charles Michel, komisionerin për Zgjerim Oliver Varhelyi, dhe kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian dhe Nënkryetarin e EPP, David McAllister.