Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hoti i fton viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës të aplikojnë për status

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në konferencën e organizuar për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, u ka bërë thirrje gjithë viktimave që të aplikojnë për të fituar këtë status.

Hoti po ashtu deklaroi se shoqëria ka nevojë që ta shërojë këtë plagë, duke u përballur me të.

“I ftoj gjithë personat që kanë qenë viktima të këtij krimit të tmerrshëm që të aplikojnë për të fituar statusin dhe ftoj gjithë shoqërinë tonë që të mbështesim këtë proces, sepse turpi nuk është i viktimave të krimit, por i atyre që kanë kryer këto krime”, tha Hoti.

Ai shtoi se procesi i njohjes dhe verifikimit të statusit të viktimës së dhunës seksuale është i vështirë, për shkak të kohës së kaluar, por sipas kryeministrit, është koha që të tregohen të vërtetat.

“Kemi nevojë si shoqëri që të shërojmë këtë plagë, duke u përballur me të, duke mos u harruar këtë që ka ndodhur dhe besoj thellë që kjo dhimbje mund të përballohet përmes kurajës për të demaskuar dhunuesit dhe duke treguar të vërtetën dhe të behet e njohur”, tha Hoti në fund.

Në këtë konferencë për statusin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë janë duke marrë pjesë edhe ministri i Drejtësisë, Selim Selimi si dhe ish-presidentja, Atifete Jahjaga dhe panelistë të tjerë.

Bazuar në deklaratat e zyrtarëve të institucioneve të Kosovës, gjatë luftës së fundit kanë ndodhur rreth 20 mijë raste të abuzimit seksual.

Në vitin 2014, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar ndryshimet e nevojshme ligjore, në mënyrë që personave që përjetuan këto krime gjatë luftës, t’u njihet statusi i viktimës së dhunës seksuale, me çka u është mundësuar të marrin pensionin ligjor që arrin në vlerën prej rreth 230 euro në muaj.

Komisioni qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë, deri tash ka pranuar 1,361 aplikacione për pension.