Hoti i bën thirrje Kuvendit që ta votojë Projektligjin për rimëkëmbje ekonomike

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti i ka bërë thirrje Kuvendit të Kosovës që në seancën e parë të sesionit vjeshtor të votojë Projektligjin për rimëkëmbjen ekonomike.

Hoti ka thënë se përfitimet për qytetarë dhe biznese nga Projektligji për rimëkëmbje ekonomike janë rreth 470 milionë euro.

“Në analizën që Ministria e Financave i ka bërë këtij projekt-ligji, që është në pritje për miratim në Kuvendin e Kosovës, rezulton se përfitimet për qytetarë dhe biznese sivjet dhe vitin e ardhshëm janë rreth 470 milionë euro. Ky vlerësim i efekteve ekonomike dhe sociale është nxjerrë duke analizuar secilin nen të projekt-ligjit”, ka shkruar Hoti në Facebook.

I pari i Qeverisë është shprehur se këto mjete, së bashku me fondin prej 365 milionë euro për rimëkëmbje ekonomike që është pjesë e buxhetit për 2020 tanimë të miratuar, do të lehtësojë dukshëm pasojat e pandemisë për qytetarë dhe biznese.