Hoti e Haradinaj nuk ndalen, vazhdojnë përplasjet nga distanca

Edhe në orët e mbrëmjes të së shtunës, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe kreu i AAK-së, partia e të cilit është në qeveri, Ramush Haradinaj kanë vazhduar replikat sa i përket shuarjes së task-forcës kundër korrupsionit, nga ana e ekzekutivit.

Hoti në Facebook ka deklaruar se  puna e zyrtarëve që kanë qenë në kuadër të Task Forcës në Policinë e Kosovës vazhdon pa asnjë ndryshim në trajtimin e lëndëve të krimit dhe korrupsionit, sipas udhëzimeve të Prokurorisë Speciale.

“Të gjithë ata zyrtarë vazhdojnë të kryejnë obligimet e tyre ligjore sipas organizimit të brendshëm të Policisë së Kosovës pa asnjë ndërhyrje nga askush.  Kushdo që ka dyshime për këtë, le të përdorë të gjitha mjetet ligjore për të kërkuar mbikëqyrje dhe sqarime për punën e secilit”, thuhet në publikimin e tij.

Ndërkaq, pak minuta më vonë, sërish Haradinaj i reagoi Hotit.

“Bashkpartiakët tuaj edhe mund t’ju tolerojnë, por, ky është qëndrimi i shtetit aleat që është vendimmarrës për liberalizim të vizave: ‘Fatkeqësisht vendimi i qeverisë së Kosovës për shuarjen e Task Forcës Anti-Korrupsion, ngrit shqetësime të mëdha për vullnetin politik për trajtimin efektiv të çështjeve korruptive’”, ka shkruar Haradinaj.

Ditë më parë, Qeveria e Kosovës ka zhbërë task-forcën për luftimin e korrupsionit. Madje, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti kishte deklaruar se e kanë hequr nga diskursi fjalën “korrupsion”.

Komisioni Evropian e pati quajtur shqetësues shuarjen e Departamentit Special Anti-Korrupsion nga Qeveria Hoti.