Qeveria Hoti - Foto: ZKM

Qeveria Hoti shuan Departamentin Special Anti-Korrupsion të themeluar nga Qeveria Thaçi

Kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme ka marrë vendim për shuarjen e Departamentit Special Anti-Korrupsion.

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, kërkoi që kabineti qeveritar të ‘mos ngutet’ me marrjen e këtij vendimi por që të bëjë një rishikim të punës së deritanishme të kësaj taskforce.

“Unë e di që me këtë task-forcë ekzistojnë shumë pikëpyetjeje sepse funksionon që 10 vite dhe normalisht që ka hapësirë për mu përmirsmu, unë kisha shpreh si nevojë që pikë se pari të shikojmë reflektimin e të gjeturave të rishikimit funksional për këtë task-forcë dhe t’i shohim rastet të cilat janë të profilit të lartë që janë në procesin se si do t’i zbarkojmë në institucionet e tjera, sepse shfuqizimi i menjëhershëm mund t’i dëmtojë disa raste që janë në procesi”, tha Selimi.

Në anën tjetër, kryeministri i vendit Avdullah Hoti tha që nuk mund të ketë dëmtim të proceseve me shuarjen e kësaj task-force pasi që, sipas tij, ndarja e kompetencave është e rregulluar me ligj.

“Ky është vendim i vitit 2010, ku parashihen obligimet që qeveria i ka kriju për prokurorinë speciale, për EULEX që në fakt është ndarja e pushteteve, qeveria nuk merr vendime për të kërkuar nga prokuroria speciale sesi organizohen, prokuroria speciale dhe format e tjera të ligjit organizohen në përputhje me ligjin. Mandati i EULEX 2010-2020 ka ndrru dhe mendoj që vetëm hap rrugë, besoj që janë ligjet që tregojnë sesi duhet të organizohen  institucionet”, tha Hoti.

Departamenti Special Anti-Korrupsion me qëllim të hulumtimit dhe luftimit të dukurive korruptuese në Kosovë,  është themeluar më 26 shkurt të vitit 2010 në kohën sa ishte kryeministër, Hashim Thaçi.

Ky departament përbëhet nga 8 prokuror, 5 vendorë, ndërsa 3 të emëruar nga autoritetet e EULEX-it.