Hetimet rreth vdekjes së 4-vjeçares nga Gjakova, Policia ka intervistuar disa persona, përfshirë edhe familjarë

Policia është duke i vazhduar hetimet rreth vdekjes së 4-vjeçares nga Gjakova që ka ndodhur më 19.02.2024.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, tha më 22.02.2024 për KALLXO.com se lidhur me rastin janë intervistuar disa persona, duke përfshirë këtu edhe familjarë të viktimës.

Ai nuk dha detaje nëse në mesin e të intervistuarve ka persona zyrtarë, përfshirë mjekët të cilët kishin pranuar fillimisht 4-vjeçaren me gjendje jo të mirë shëndetësore.

“Atë çka mund të them tani është që përveç familjarëve të viktimës kemi intervistuar edhe persona të tjerë mirëpo mbetemi të rezervuar për shkak se është faza fillestare e hetimeve dhe jemi në pritje të raportit mjekoligjor për të parë edhe shkakun zyrtar të vdekjes së të miturës”- tha Elezaj për KALLXO.com.

Ai shton se nga informatat e para, gjendja e viktimës në kohën kur ishte pranuar në Spitalin Rajonal të Gjakovës “Isa Grezda” ishte e rënduar.

“Ajo çka mund të ndajmë tani dhe çka është e ditur nga ana jonë prej informatave të para që kemi pranuar, viktima është dërguar në gjendje të rënduar atje, por sa u përket lëndimeve, ne kemi informacion se është raportuar se ka lëndime mirëpo në këtë fazë duhet të presim raportin e IML dhe mos të spekulojmë sa u përket këtyre informatave”- shton tutje ai.

Elezaj pranoi për KALLXO.com se tashmë janë duke shikuar dhe trajtuar edhe dokumentet e dosjet shëndetësore të të miturës për të zbardhur rrethanat e vdekjes së saj.

“I kemi disa raporte mjekësore të cilat i janë prezantuar edhe prokurorit të shtetit dhe në këtë fazë janë duke u analizuar, duke u shikuar, konfirmimi zyrtar është ky që po ju them është dërguar ka qenë jo mirë në aspektin shëndetësor, është dërguar në Spitalin e Gjakovës e më pas në QKUK. Në këtë fazë nuk mund as të mohoj e as pohoj nëse ka pasur lëndime apo jo, gjithsesi duhet të presim raportin mjekoligjor”- tha tutje Elezaj.

Një 4-vjeçare ka vdekur në QKUK më 19.02.2024, dy ditë pasi ishte sjellë nga Spitali i Gjakovës për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.

“Me datën 17.02.2024 viktima, femër e lindur në vitin 2020 është dërguar në Spitalin e Përgjithshëm në Gjakovë për trajtim mjekësor. Nga aty pastaj është dërguar në QKUK për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore. Sot jemi njoftuar se e njëjta ka ndërruar jetë . Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit me vendimin e të cilit iniciohet rast “hetim i vdekjes”, ndërsa trupi i pajetë i viktimës dërgohet në IML për obduksion” – kishte thënë Elezaj.

Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka reaguar lidhur rastin e vdekjes së 4-vjeçares në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, duke treguar për trajtimin që i është ofruar.

4-vjeçarja ka vdekur më 19.02.2024.

SHSKUK si mbikëqyrëse e QKUK-së dhe spitaleve rajonale ka thënë se ka kërkuar raporte të detajuara nga QKUK dhe Spitali i Gjakovës, ku pacientja ishte trajtuar paraprakisht dhe se të njëjtat do t’i shqyrtojë.

“Pacientja sillet nga Spitali i Gjakovës, si rast i intubuar për në Qendrën Emergjente të QKUK-së, me parametra vital dhe me gjendje mjaft të rënduar shëndetësore” – thotë SHSKUK.

Kjo ndihmë mjekësore në QKUK, sipas komunikatës, ishte kërkuar më 17.02.2024 rreth orës 15:00.

Më tej thuhet se janë kryer të gjitha analizat laboratorike dhe diagnostike – radiologjike dhe janë thirrur për konsultë mjekët e fushave përkatëse.

“Pas të gjitha konsultave, vendoset për trajtim të mëtejmë në Repartin Intensiv në Klinikën e Pediatrisë, me diagnozë të punës Sepsë (infeksion akut i rëndë i shkallës se lartë). Përkundër të gjitha masave reanimatore të ekipeve të mjekëve të Klinikës së Pediatrisë, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, fëmija ndërron jetë me datë 19 shkurt 2024” – thuhet në komunikatë.

SHSKUK ka apeluar që të mos spekulohet në lidhje me shkaqet e vdekjes së pacientes, deri në rezultatet e hetuesisë, të cilat thotë se do të merren parasysh edhe nga SHSKUK-ja për veprime të mëtejme.

Vdekja e 4-vjeçares është duke u hetuar nga Policia dhe Prokuroria.

Rasti është iniciuar si “hetim i vdekjes”, ndërkaq trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Ky rast ka nxitur reagime publike.

Shoqata për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë (PRAK) ka kërkuar hetimin e rastit duke ngritur dyshime mbi menaxhimin e rastit nga institucionet shëndetësore, brenda të cilit thotë se mund të gjenden vepra penale, shkelje etike e profesionale dhe trajtim johuman.

Institucioni i Avokatit të Popullit ka njoftuar se ka nisur hetime për këtë rast dhe se do ta monitorojë nga afër në mënyrë që të “sigurojë se të gjitha institucionet përgjegjëse po i ndërmarrin masat e përcaktuara me ligj”.

Ndërkaq, Spitali i Gjakovës ka treguar për trajtimin që i është ofruar pacientes dhe ka thënë se konsultimet dhe mbikëqyrja profesionale kanë vazhduar derisa ka filluar përkeqësimi i gjendjes së pacientes dhe mjekët kanë konstatuar se nevojitet trajtimi i mëtejmë në nivel tretësor shëndetësor.

Prokuroria e Gjakovës e kontaktuar nga KALLXO.com nuk ka dhënë më shumë detaje për rastin.