Foto: Ilustrim

Helmimet në Deçan, arrestohet një person

Një zyrtar i Agjencisë Kosovare të Pyjeve me seli në Deçan është ndaluar me urdhër të Prokurorisë, pasi dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Arrestimi i tij dyshohet se lidhet me rastin e helmimit të rreth 1 mijë e 500 qytetarëve në Deçan.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar Lumturije Vuçetaj, nga Prokuroria Themelore e Pejës.

“Ndalohet një zyrtar i AKP-së pranë MPMHI-së me seli në Deçan për keqpërdorim të detyrës zyrtarë. Përderisa ishte në kryerje të detyrës zytare në cilësinë e pylltarit në laurën ‘Gryka e Deçanit. Hetimet janë duke u zhvilluar për të shikuar se a ka ky rast ndonjë lidhshmëri me çështjen e ujit në komunën e Deçanit”, ka thënë prokurorja Lumturije Vuçetaj.

Sipas saj, në vendngjarje është sekuestruar diviari i kamerave të vendosur në atë pikë.

Rreth 1,500 persona dyshohet se janë helmuar nga dita e shtune e javës së kaluar nga uji i pijes në komunën e Deçanit, që furnizohet nga ndërmarrja ‘Hidrodrini’.

Zyrtarisht institucionet e Kosovës ende nuk e kanë gjetur shkaktarin, ndërsa IKSHPK-ja ka thënë se në ujin që furnizohet Deçani ka gjetur disa baktere.