Situata me helmimet, FSK zbarkon në Deçan - FOTO

Komuna e Deçanit përmes një njoftimi ka bërë të ditur se pas takimit të kryetarit Bashkim Ramosaj me ministrin e mbrojtjes Armend Mehaj është vendosur që njësi të specializuara të jenë në Deçan për menaxhim të situatës pas helmimeve të shumta.

“Pas takimit me kryetarin e komunës z.Bashkim Ramosaj dhe Shtabin Emergjent në Deçan ,Ministri i Mbrojtjes z.Armend Mehaj në koordinim me z.Ramosaj dhe akter tjerë, kanë vendosur që nga orët e pasdites së djeshme njësitet e specializuara të FSK-së të jenë në Deçan në operacionin për menaxhimin dhe tejkalimin e situatës emergjente në komunën tone”, thuhet në njoftim.

Ndërsa sot, duke u bazuar në rrethanat dhe nevojat e Shtabit Emergjent janë angazhuar pesë njësi të specializuara.

Njësiti për detektimin e materieve të rrezikshme, njësiti për skanimin dhe incizimin e zonës në burimet dhe rrjedhen ujore, njësiti për asistencë mjekësore, njësiti për operacione civile dhe njësiti homolog i forcave amerikane si dhe oficerët për planifikim dhe organizim shtabor.

Tutje në njoftim potencohet se, këto njësite do të vazhdojnë operacionet e tyre deri në tejkalimin e situatës emergjente dhe rikthimit të gjendjes normale.

Mijëra qytetarë në Komunën e Deçanit po marrin trajtim mjekësorë të cilët dyshohet se janë helmuar.

KALLXO.com është duke qëndruar aty për të parë për së afërmi situatën e krijuar atje, dhe nga informacionet e siguruara kuptojmë se 120 pacientë kanë marrë infuzion gjatë ditës së sotme.

Fillimisht dyshohej se qytetarët e Deçanit janë helmuar nga uji i ujësjellsit “Hidrodrini” në këtë komunë por analizat e bëra nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dolën negative.

Helmimet në Deçan, 120 pacientë kanë marrë infuzion deri më tani