Opozita kritikon Qeverinë dhe Kurtin për situatën në Deçan

Përfaqësues të partive opozitare në Kosovë e kanë kritikuar Qeverinë dhe kryeministrin Albin Kurti për mosmenaxhim të mirë të situatës me rastin e dyshimeve për helmime nga uji të qytetarëve të komunës së Deçanit.

Sipas të dhënave zyrtare deri sot pasdite numri i personave që dyshohet se janë helmuar në Deçan ka shkuar në 1,500 derisa ende nuk dihen shkaktarët e saktë të ngjarjes.

Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Blerta Deliu-Kodra ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti po dorëhiqet nga detyrat që ia ka besuar qytetari i Kosovës.

Ajo ka shtuar se është e habitur me me përgjigjen e Kurtit, për situatën e krijuar në komunën e Deçanit.

“Sot Albin Kurti dha dorëheqje përballë përgjegjësisë së tij si kryeministër i qytetarëve të Kosovës. Ky është teksti i dorëheqjes së Albin Kurtit përballë përgjegjësisë si kujdestar i shëndetit të qytetarëve të shtetit që e drejton.  [“’Në pamundësi për të qenë pranë jush, meqë jam në vizitë zyrtare jashtë vendit, kam komunikim të vazhdueshëm me institucionet përgjegjëse’.]”ka shkruar ajo në Facebook.

Deputetja ka shtuar se Kurti “po bredh kot nëpër ishujt grek”.

“Z. Kryeministër, ju nuk jeni në një vizitë zyrtare. Ajo ka mbaruar. Ju po bredhni kot nëpër ishujt grekë për broçkullat e anti-kolonializmit. Kthehuni me këmbë në tokë dhe merruni me detyrën që ua ka besuar qytetari i Republikës së Kosovës”, thuhet në publikimin e saj.

Ndërsa, ish-kryeministri, tash deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Avdullah Hoti ka thënë se për të është e çuditshme se që edhe pas tri dite nuk ka raport zyrtar për shkakun e helmimit dhe as udhëzime zyrtare të qarta për qytetarët se si të veprojnë.

“Të gjithë qytetarëve të Deçanit që janë prekur nga helmimi ju uroj shërim të shpejtë.  E çuditshme që edhe pas tri dite nuk ka raport zyrtar për shkakun e helmimit dhe as udhezime zyrtare të qarta për qytetarët se si të veprojnë. Duhen masa të shpejta: 1. Duhet formuar ekip shëndetësore interdiciplinare për të trajtuar me urgjencë të prekurit. 2. Duhet urgjentisht të ngritet një task forcë për të gjetur shkakun e helmimit”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Në anën tjetër, kryeministri Albin Kurti sot ka deklaruar se për situatën në Decan, ka komunikime me institucionet përgjegjëse, edhe pse nuk gjendet në Kosovë.

“Të dashur qytetarë të Komunës së Deçanit, në pamundësi për të qenë pranë jush, meqë jam në vizitë zyrtare jashtë vendit, kam komunikim të vazhdueshëm me institucionet përgjegjëse. Në bisedë me Kryetarin e Komunës, z.Bashkim Ramosaj, jam njoftuar për gjendjen emergjente në Komunën e Deçanit.  Për të konkretizuar mbështetjen e Qeverisë dhe për t’u njoftuar nga afër me situatën, sot në Deçan janë Zëvendëskryeministrja znj.Donika Gërvalla dhe Ministri i Shëndetësisë, z. Arben Vitia”, ka shkruar Kurti në profilin e tij në Facebook.

Kurti ka shtuar se Qeveria e Kosovës, do t’u përgjigjet nevojave të qytetarëve të prekur nga infeksioni, deri në përmirësimin e gjendjes.

“Bashkëndjej brengën dhe shqetësimin tuaj dhe ju dëshiroj shërim sa më të shpejtë”, thuhet në publikimin e kryeministrit.

Të martën, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një vizite në komunën e Deçanit pas helmimit të qindra qytetarëve ka thënë se Qeveria do të ju dalë në ndihmë qytetarëve të cilët kanë nevojë. Sipas presidentes Osmani, tashmë po dyshohet se janë helmuar edhe qytetarë të fshatrave të tjerë të Deçanit që nuk janë furnizuar nga dega e vetme e “Hidrodrinit”.

Presidentja ka kërkuar nga institucionet ta trajtojnë rastin me urgjencë dhe të zbardhet arsyeja e helmimit të këtyre qytetarëve.