Hekuran Murati: Rimbursimi i 10% të Trustit do të fillojë nga viti 2023

Kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për Rimbursimin në formë të kompensimit, për pjesëmarrësit të cilët i kanë tërhequr 10% të kursimeve pensionale në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës.

Ministër i Financave, Hekuran Murati në mbledhjen e Qeverisë, ka deklaruar se rimbursimi i këtyre mjeteve do të filloj nga viti 2023.

“Propozimvendimi në fjalë rrjedh si obligim nga ligji për Rimëkëmbje. Rrjedhimisht kjo përcakton rimbursimi do të filloj nga viti 2023 dhe do të vazhdoj në vitet e vazhdueshme fiskale dhe shuma do të përcaktohet në Ligjin për ndarjet buxhetore i zbatueshëm në vitin fiskal përkatës. Kjo metodologji obligon që ata që mjetet që janë tërhequr të përmbushen dhe siguron qëndrueshmëri fiskale në anën tjetër. Duke e konsideruar vendimin e propozuar sot si të rëndësishëm për zbatimin e obligimeve ligjore ju ftoj për miratim” tha ai.

Vendimi për tërheqjen e 10 për qind të kursimeve pensionale ishte marrë nga qeveria Hoti, pas përkeqësimit të gjendjes financiare të familjeve dhe bizneseve, për shkak të pandemisë së shkaktuar nga COVID-19.

Më 11 dhjetor, 2020, kishte filluar aplikimi online për tërheqjen e 10 përqindëshit të kursimeve nga Fondi i Kursimeve Pensionale, proces ky që ka zgjatur deri më 6 prill, 2021.