Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj jep dorëheqje

Ministri i Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj ka dhënë dorëheqje.

Kështu kanë bërë të ditur burime të KALLXO.com brenda Qeverisë.

Mirëpo, një gjë e tillë nuk është konfirmuar zyrtarsht as nga ministri Mehaj, as nga Ministria e Mbrojtjes dhe as nga Zyra e Kryeministrit, të cilët kanë qenë të kontaktuar nga KALLXO.com.

Mehaj ishte emëruar si ministër në këtë pozitë në vitin 2021 kur ‘Qeveria Kurti 2’ kishte filluar mandatin.

Para Mehajt Ministër i Mbrojtjes ka qenë Anton Quni nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Para se ta merrte pozitën e kreut të Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës, Mehaj ka jetuar dhe punuar në Norvegji.

Mehaj nuk është ministri i parë që ndanë rrugët me ‘Qeverinë Kurti 2’.

Pozitën e ministrit në këtë qeveri më 6 tetor të vitit 2022 e pati dorëzuar edhe ish ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi, i cili kishte ardhur nga SHBA për ta përmirësuar shëndetësinë kosovare.

Latifi ishte emëruar në krye të Ministrisë së Shëndetësisë më 16 nëntor të vitit 2021, pas dorëheqjes së Arben Vitisë për të marrë pjesë në zgjedhjet si kandidat për kryetar të Prishtinës.

Vitia ishte kthyer në krye të MSH-së, pas dorëheqjes së Latifit.

E pak ditë pas dorëheqjes së Latifit, më 31 tetor, dorëheqjen e saj e kishte ofruar edhe zëvendësministrja e Drejtësisë, Nita Shala.

Më 24 nëntor 2022, rrugët me Ministrinë e Arsimit i kishte ndarë zëvendësministri Dukagjin Pupovci.

Më 1 gusht të këtij viti, edhe zëvendësministrja e Arsimit, Edona Maloku Bërdyna ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.