Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Foto: KALLXO.com

Haxhiu tregon nëse ministrat e kanë parë draft statutin e Asociacionit

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se për draft statutin për formimin e Asociacionit janë informuar në vija të trasha nga kryeministri Albin Kurti.

Në këtë aspekt, sipas saj, Kurti është partner serioz që i trajton me konsideratë kërkesat e ndërmjetësve të dialogut.

“Kurti është partner serioz që i trajton me respekt dhe konsideratë kërkesat e ndërmarrëseve, ai e ka ekipin për dialog më të cilin ndanë dokumentet, ai konsultohet edhe me presidenten dhe kryetarin e Kuvendit. Kur ka nevojë për vlerësimet e mija si ministre e Drejtësisë unë jam në dispozicion. Në mbledhjen e kryesisë të LVV-së na ka njoftuar në vija të trasha për propozimin amerikano – europian, po ashtu edhe grupin parlamentar i ka njoftuar për qëndrimin e Kosovës”- është shprehur Haxhiu.

Sipas ministres, Kurti ka dhënë arsyet pse teksti nuk mund të jetë publik.

“Sa për kryeministrin Kurti teksti mund të jetë publik që dje, mirëpo kjo nuk mund të ndodhë për arsyet qe i ka përmend kryeministri Kurti”- tha ajo në konferencë për media.

Emisari i BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak, të martën ka mbajtur takim me krerët e partive opozitare për t’i informuar rreth draftit të Asociacionit.

Pas takimit, në një deklaratë për media kreu i PDK-së, Memli Krasniqi deklaroi se nuk kanë pasur mundësi ta konsultojnë tekstin integral. Kurse nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri u shpreh se vazhdojnë të mbeten në “terr” sa i përket mos zbardhjes së draftit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ndryshe nga kolegët e tij, Ramush Haradinaj i AAK-së tha se në takim kanë pasur mundësi që siç tha ai “të njoftohemi me dokumentin e draft-statutit që ta lexojmë në tërësi edhe të zhvillojmë një bisedë në lidhje me hapat e mëtejmë që e presin Kosovën”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se drafti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është pakrahasimisht më i avancuar se sa ai i vitit 2013.

Ai tha se “për hir të konfidencialitetit të draftit, nuk mund të flas as për vërejtjet e as për kritikat”.