Haxhiu: Prioritet të jetë sensibilizimi për diagnostifikim të hershëm të kancerit të gjirit

Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale sot ka vizituar Klinikën e Onkologjisë në QKUK në kuadër të muajit për ndërgjegjësimin e kancerit të gjirit.

Anëtari i këtij komisioni nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu tha se prioritet duhet të jetë sensibilizimi i qytetareve dhe mbulueshmëria e terapisë për pacientët.

“Një sensibilizim së pari të opinionit për problemet, në veçanti për rëndësinë e diagnostifikimit të hershëm të kancerit të gjirit dhe mbulueshmërinë e terapisë për pacientët që kanë nevojë do të duhej të jenë prioritetet tona” – u shpreh Haxhiu para mediave.

Në anën tjetër, ai tha se prioritet i qeverisë duhet të jetë përmirësimi i kushteve për profesionistët shëndetësorë.

“Përtej kësaj prioritet i qeverisë duhet të jetë përmirësimi i kushteve dhe rritja e pagave për profesionistët shëndetësorë” – vijoi ai.

Takimi i Komisionit u mbajt i mbyllur për media.

Muaji tetor, tashmë ka marrë epitetin e muajit rozë, muajit të ndërgjegjësimit për sëmundjen e kancerit të gjirit, e cila po merr përmasa të gjëra të përhapjes.