Haxhiu: Pasuria e sekuestruar dhe konfiskuar, me ligj të ri mund të shitet dhe jepet me qera

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu para deputetëve të Kuvendit të Kosovës e ka prezantuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për administrimin e pasurisë së sekuestruar dhe konfiskuar.

Haxhiu tha se pasuritë e konfiskuara apo të sekuestruara e të cilat administrohen nga Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Konfiskuar e Sekuestruar po e humbin vlerën për faktin se sipas ministres dispozitat e ligjit aktual për shitjen e këtyre pasurive nuk janë të rregulluara mjaftueshëm.

Haxhiu tha se përmes këtij projektligji do të mundësohet që të bëhet shitja e sendeve, dhënia me qera apo dorëzimin i tyre për shfrytëzim nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

“Dispozitat e projektligjit parashohin se mënyra dhe procedura e shitjes dhe dhënies me qera të pasurisë së luajtshme dhe paluajtshme të sekuestruara dhe të konfiskuara të rregullohet me akt nënligjor të cilën qeveria do ta miratoj hartimin e tij i cili do të bëhet nga Ministria e Drejtësisë brenda afatit 6 muaj nga hyrja në fuqi e këtij ligji”, tha Haxhiu.

Deputetët e partisë Demokratike të Kosovës nuk ishin prezentë gjatë diskutimit për këtë pikë, ndërkaq Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës u shprehën se do ta mbështesin këtë projektligj.

Në seancën e Kuvendit ishin të pranishëm 69 deputetë dhe të gjithë kanë votuar pro këtij projektligji.