Haxhiu: Nëse ka dështim institucional, do të ketë dorëheqje dhe shkarkime

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka deklaruar se në momentin kur të vërtetohet se ka dështim institucional në rastin e 35-vjeçares e cila u vra në oborrin e Gjinekologjisë, do të ketë dorëheqje dhe shkarkime.

Haxhiu tha se në takimin ndërministror që u mbajtë sot, nuk morën pjesë asnjë përfaqësues nga Prokuroria dhe Gjyqësori.

Ajo thotë se deri sot nuk ka asnjë prokuror, as gjyqtar që ka dhënë dorëheqje për shkak se nuk e ka kryer detyrën.

“Në momentin që do të verifikohet dështimi institucional, personi përgjegjës do të jap dorëheqje. Të gjithë ne jemi që jemi, kemi përgjegjësi në përputhje me legjislacionin në fuqi. Kompetencat janë të ndara, pro ju garantoj se nëse shohim se ka dështu dikush, do të ketë dorëheqje, do të ketë shkarkim” – tha ministrja Haxhiu.

“Dorëheqjet dhe shkarkimet janë kërkuar edhe në raste e tjera, kur ka dështuar prokuroria, asnjë dorëheqje – asnjë shkarkim. Këto mosveprime po inkurajon kriminelet, vrasësit. Nuk kemi asnjë prokuror as gjyqtar që ka dhënë dorëheqje që nuk e ka kry detyrën” – tha tutje Haxhiu në një prononcim për media pas takimit ndërministror.

Ministrja Haxhiu deklaroi se me reformën në drejtësi – nuk do të ketë prokurorë dhe gjyqtarë që nuk do ta kryejnë detyrat e tyre

“Fatkeqësisht as prokuroria, as gjykata nuk kanë qenë të pranishëm, në fakt do të duhet të kishin më shumë ndërgjegjeje morale, njerëzore dhe profesionale. Nuk kam koment për veprimet e tyre” – u shpreh ajo.

Një grua shtatzënë është vrarë mbrëmë në oborrin e QKUK-së ndërsa Policia është vënë në kërkim të të dyshuarit, i cili  pasi kreu krimin është larguar në drejtim të panjohur.

Tri gëzhoja janë gjetur në vendin ku është kryer krimi.

S.H., i dyshuari për vrasjen e gruas shtatzënë në oborrin e QKUK-së më saktësisht në hyrje të Klinikës së Gjinekologjisë, është dënuar në shtator të këtij viti me gjobë për armëmbajtje pa leje.

Gjykata Themelore në Ferizaj ka konfirmuar për KALLXO.com se i dyshuari, me datë 23 shtator të këtij viti është shpallur fajtor për mbajtje në pronësi të armës pa leje dhe ndaj të njëjtit është shqiptuar dënimi me gjobë.