Ministrja e Drejtësisë: Nesër mblidhet grupi i ngushtë ndërministror për raportim për secilin veprim institucional

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reagur lidhur me rastin e vrasjes së gruas shtatzënë në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë në Prishtinë.

Përmes një shkrimi ministrja ka thënë se gruaja u vra në vendin ku lind jeta. Haxhiu shtoi se brenda pesë ditëve janë dy raste të vrasjeve të grave nga bashkëshortët.

Sipas saj, këto krime të rënda lënë të kuptojnë se femicidi është i përhapur në shoqëri.

Ministrja më tej potencoi se lidhur me rastin, nesër në ora 8:30, do mblidhet grupi i ngushtë ndërministror me qëllim të raportimit për së afërmi me secilin veprim institucional.

Në vijim gjeni reagimin e plotë të ministres së drejtësisë, Albulena Haxhiu:

“Një grua dhe foshnja që priste ta sillte në jetë u vranë tek shkallët e repartit të gjinekologjisë. Krim i rëndë, vrasje e dyfishtë!
Brenda 5 ditëve dy gra të vrara nga bashkëshortët.
Gruaja që priste fëmijën të sillte në këtë botë, vritet nga burri i saj, në vendin ku lindin fëmijët e vendit tonë, ku gratë bëhen nëna, nga atje ku lindë një jetë e re. Me shpresën për një botë më të mirë.
Një grua që duhej të mbrohej. Ajo u shua. U shua bashkë me fëmijun ende të pa lindur.
Këto krime të rënda na bëjnë të kuptojmë që femicidi është i përhapur në shoqërinë tonë.
Rastet si ky na bëjnë të kuptojmë që pavarësisht veprimeve që kemi ndërmarrë, kemi edhe shumë punë për të bërë.
Lufta me femicidin mund të jetë e vështirë por nuk guxojmë të humbim shpresat por të bashkohemi si institucione dhe si shoqëri për luftimin e femicidit që po merr jetët e grave.
Nesër në orën 08 e 30, mblidhet grupi i ngushtë ndërministror me qëllim të raportimit për së afërmi me secilin veprim institucional.
Familjarëve të viktimave, u shprehim ngushëllimet më të sinqerta!
Dhunuesit dënimin më meritor!”

Policia: Viktima në oborrin e QKUK-së është një grua rreth 35-vjeçare