Haxhiu: Nuk kam pas informacione se mustaqet e Adem Jasharit dhe gishti i Isa Boletinit ndodhen në IML

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu deklaroi se nuk ka qenë në dijeni se mustaqet e Adem Jasharit dhe gishti i Isa Boletinit ndodheshin në zyrën e njërit prej ekspertëve e Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Kështu tha Haxhiu sot në Kuvend teksa foli për zjarrin që përfshiu dy zyre të këtij Instituti të mëngjesin e së martës.

Sipas Haxhiut, mustaqet e Adem Jasharit dhe gishti i Isa Boletinit nuk kanë qenë pronë e IML-së.

Ajo tha se ato i janë dhënë njërit prej ekspertëve në vitin 2000.

“Sa i përket mustaqeve të Adem Jasharit dhe gishtit të Isa Boletinit, ato nuk kanë qenë pronë e institutit të mjekësisë ligjore sepse instituti nuk ka të drejtë të mbajë gjera të tilla”- tha ajo.

“Siç na është thënë, në vitin 2000 familjet Boletini dhe Jashari ja kanë dhënë njërit prej ekspertëve të mjekësisë ligjore, familjet ja kanë dhënë atij dhe ai i ka mbajt në zyrë. Po ta dija unë ato mendoj që ato do të duhej t`i mbante shteti, unë nuk kam pasur informacione që kanë qenë në zyrën e njërit prej ekspertëve të mjekësisë ligjore ato”- tha ajo.

Dy zyre të Institutit të Mjekësisë Ligjore u kapluan nga zjarri në orët e hershme të së martës.

Njëra nga këto zyre i takon edhe drejtorit të IML-së, Ditor Halilit, e njoftimet zyrtare bëjnë me dije se nuk ka pasur djegie ose dëmtim të mbetjeve mortore, arkivës së Institutit dhe mostrave.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka njoftuar se do të propozojnë themelimin e komisionit hetimor parlamentar për djegien e objektit të Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Tahiri ka thënë se për këtë rast ende nuk ka raport se çfarë dëme janë shkaktuar nga ky zjarr.

PDK propozon themelimin e Komisionit Hetimor për djegien e objektit të IML-së