Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haxhiu: Nesër finalizohet drafti i parë i koncept dokumentit për vetingun në sistemin e drejtësisë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka deklaruar para deputeteve në Kuvendin e Kosovës se nesër do të finalizohet koncept dokumenti për vetingun në sistemin e drejtësisë.

Ajo paralajmëroi takime me të gjitha partitë opozitare dhe partitë e komuniteteve jo shumicë për procesin e vetingut me qëllim të arritjes së konsensusit të gjerë politik për vetingun.

“Më 15 qershor, gjegjësisht nesër finalizohet drafti i parë i koncept dokumentet, i kemi dhënë rëndësi shumë të madhe dhe nesër do ta finalizojmë draftin e parë e të koncept dokumentit për vetingun në sistemin e drejtësisë”, tha Haxhiu.

Ministrja shtoi se reforma më e madhe në drejtësi do të jetë vetingu në sistemin e drejtësisë.

“Reforma më e madhe në sistemin e drejtësisë do të jetë vetingu në sistemin e drejtësisë, për çka unë besoj se është i rëndësishëm konsensusi brenda Kuvendit të Kosovës dhe i kam ftuar partitë opozitare në takime të ndara që të flasim për një konsensus për vetingun në sistemin e drejtësisë e po ashtu do të flas edhe me partitë që përfaqësojnë komunitetin jo shumicë sepse është një reformë shumë e rëndësishme që duhet bashkërisht të flasim dhe ta mbështetim”, shtoj Haxhiu.

Deklaratat për vetingun erdhën në kohën kur në Kuvend u votua në parim projektligji për ndryshimin e ligjit për disiplinim e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Ky projektligj pritet që t`i hap rrugë suspendimit të prokurove dhe gjyqtarëve edhe për shkelje disiplinore dhe paraqet një mekanizëm të rëndësishëm në disiplinimin e tyre.