Kurti e Haxhiu dërgojnë dosjen e Vetingut te kryetari i kuvendit Glauk Konjufca

Kryeministri Albin Kurti dhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu pas një konferencë të mbajtur në ndërtesën e qeverisë kanë njoftuar se do të dorëzojnë te Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, dokumentin dhe dosjen për Vetingun.

Kurti në konferencë tha se janë angazhuar që nga fillimi i qeverisjes për reformën në drejtësi si thelb i një qeverisje e cila bazohej në parullën “punësim dhe drejtësi”.

Ai përmendi rastin e dhunimit të 11 vjeçares dhe tha se këto raste i humbin kuptimin zbatimit të respektimit të të drejtave të njeriut e ndjekjes së krimit.

“I akuzuar e i dënuar për shumë vepra penale,  dhunuesi ec i lirë nëpër rrugë të Prishtinës, dhunuesi lirohet pas 8 muaj, dhunuesi nuk rehabilitohet pastaj edhe dhunuesi vret. Nuk ka alternativë ndaj vetingut në sistemin gjyqësor e prokurorial, këtë e kuptojnë edhe vet ata që janë pjesë e këtij sistemi”, tha Kurti gjatë konferencës.

Ai shtoi edhe se për këtë çështje ka ftuar në takim edhe liderët e opozitës e vetëm LDK nuk i ishte përgjigjur ftesës.

“Vetingu është produkt i nevojave të qeverisë pra të shtetit. Besimi në drejtësi ngërthen në vete besimin në shtet që ky i fundit është në shërbim të qytetarit”, shtoi Kurti.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se dosja e dokumentit të Vetingut po dorëzohet pas një pune intensive të kryer muajt e kaluar.

“Në vazhdimësi jemi dëshmitar të neglizhencës, mosveprimit dhe pa ndëshkueshmerisë. Gjyqtarët dhe prokurorët konsiderohet se kanë pagat më të larta në rajon, për shkak të mosveprimet e tyre dhe veprimet e gabuara po vrahen gratë, po dhunohen seksualisht të miturit dhe korrupsioni madh mbetet pa u ndëshkuar”, tha Haxhiu.

Ajo shtoi se reforma në drejtësi mundëson që në sistem të drejtësisë të jenë vetëm ata që kanë integritet të lartë dhe pasurinë e tyre mund ta justifikojnë.

“Meqë sot po e dorëzojmë dosjen e vetingut në Kuvendin e Kosovës, kuvendi do ta ketë mbështetjen e plotë të qeverisë dhe MD përmes ekspertizës dhe punës konkret. Versioni që po e dorëzojmë sot, është në përputhje të plotë me rekomandimet që kanë dalë nga komisioni i Venecias dhe tashmë gjithçka është e pasqyruar dhe do të jetë më e lehtë që të procedojmë tutje me këto ndryshime”, shtoi Haxhiu.

Kujtojmë se në maj të këtij viti Krerët e lartë të shtetit të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti kishin pritur në takim ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, për të diskutuar rreth procesit të Vetingut dhe rëndësinë e forcimit të sundimit të ligjit.

Presidenca e Kosovës kishte njoftuar se në takim është diskutuar bashkërendimi i institucioneve të Kosovës me shtetet e QUINT-it dhe BE-së rreth procesit të Vetingut në Kosovë.

“Liderët institucionalë përcollën mesazhe mbi rëndësinë e patjetërsueshme dhe  jetike për ndërtim të një sistemi të qëndrueshëm dhe afatgjatë të vetingut, për të garantuar sistem të drejtësisë me integritet të lartë, profesionalizëm dhe efikasistet, i cili i përgjigjet nevojave të qytetarëve për drejtësi”, thuhej në njoftim.

Sipas njoftimit, krerët kosovarë përsëritën përkushtimin e institucioneve të Kosovës që ky proces të ndërtohet dhe zbatohet duke i respektuar standardet më të larta evropiane, të cilat garantojnë pavarësinë, efikasitetin dhe efektivitetin e institucioneve të drejtësisë, dhe për të cilat Kosova ka kërkuar opinion nga Komisioni i Venecias.

Në qershor të këtij viti Kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në një konferencë për media kishin bërë të ditur opinionin nga Komisioni i Venecias për prezantimin e procesit të vetingut e procesit të konfiskimit të pasurisë së pajustifikushme.

Sipas Kurtit, Kosova tashmë kishte marrë dritën e gjelbër për vetingun, i cili do të fillojë jetësimin qysh sot pas një pune një vjeçare të Ministrisë së Drejtësisë.

“Sot jemi para jush për të prezantuar reformën substanciale në sistemin e drejtësisë, vetingun dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Komisioni i Venecias na ka bindur që reformat e prezantuara janë adekuate për sistemin e drejtësisë. Sot fillojmë me jetësimin e punës një vjeçare të ministrisë së Drejtësisë në përkrahje të Qeverisë. Rivlerësimi dhe verifikimi i aftësive të krerëve të pushteti gjyqësor e prokurorial nisin nga mekanizmat e jashtëm të pavarur. Jemi për të prezantuar reformën në sistemin gjyqësor, Vetingun dhe konfiskimin e pasurisë së paligjshme që komisioni i Venecias ia ka thënë besimin e plotë. Kom i Venecias na bind se reformat e propozuara janë adekuate dhe në pajtim me shtetet demokratike. Vetingu është i domosdoshëm, po ashtu edhe konfiskimi i pasurisë së paligjshme. Sot fillojmë me jetësimin e reformave, pasi reforma më nuk mund të pres e qytetari nuk mund të durojë më”, kishte thënë Kurti.