Albulena Haxhiu: Do të ketë veting të plotë duke filluar nga krerët e institucioneve të drejtësisë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se Kosova do të fillojë procesin e vetingut të plotë duke filluar nga udhëheqësit e institucioneve të drejtësisë në vend.

Sipas Haxhiut, Kosova ka marrë dritën e gjelbër për vetingun nga Komisioni i Venecias e po ashtu edhe për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

“Ne tashmë kemi marrë dritën e gjelbër për procesin e vetingun e po ashtu edhe për punën e Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Veting do të ketë dhe atë të plotë dhe siç duhet, duke filluar nga krerët e institucioneve të drejtësisë. Do të jemi të gatshëm të bashkëpunojmë edhe me Këshillin Gjyqësor edhe me Këshillin Prokurorial të Kosovës, me partnerët ndërkombëtarë dhe partitë opozitarë që këto reforma të jetësohen”, ka thënë Haxhiu.

Kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në një konferencë për media kanë bërë të ditur opinionin nga Komisioni i Venecias për prezantimin e procesit të vetingut e procesit të konfiskimit të pasurisë së pajustifikushme.

Sipas Kurtit, Kosova tashmë ka marrë dritën e gjelbër për vetingun, i cili do të fillojë jetësimin qysh sot pas një pune një vjeçare të Ministrisë së Drejtësisë.

“Sot jemi para jush për të prezantuar reformën substanciale në sistemin e drejtësisë, vetingun dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Komisioni i Venecias na ka bindur që reformat e prezantuara janë adekuate për sistemin e drejtësisë. Sot fillojmë me jetësimin e punës një vjeçare të ministrisë së Drejtësisë në përkrahje të Qeverisë. Rivlerësimi dhe verifikimi i aftësive të krerëve të pushteti gjyqësor e prokurorial nisin nga mekanizmat e jashtëm të pavarur. Jemi për të prezantuar reformën në sistemin gjyqësor, Vetingun dhe konfiskimin e pasurisë së paligjshme që komisioni i Venecias ia ka thënë besimin e plotë. Kom i Venecias na bind se reformat e propozuara janë adekuate dhe në pajtim me shtetet demokratike. Vetingu është i domosdoshëm, po ashtu edhe konfiskimi i pasurisë së paligjshme. Sot fillojmë me jetësimin e reformave, pasi reforma më nuk mund të pres e qytetari nuk mund të durojë më”, ka thënë Kurti.

Vettingu është proces i përkohshëm për vlerësimin e aftësive profesionale, performancës, integritetit dhe pasurisë së gjykatësve, prokurorëve dhe zyrtarëve të lartë shtetërorë.

Qëllimi i këtij procesi sipas koncept dokumentit është ndryshimi i gjendjes aktuale të sisitemit të drejtësisë dhe kthimin e besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë.

Ky proces synohet të zgjasë pesë vite, ku kujdes të veçantë do t’i kushtohet vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Sipas koncept dokumnetit për zyrtarët e lartë shtetërorë, vlerësimi i performancës do ketë tjetër natyrë dhe të tjera kritere, KGJK dhe KPK vet do të shkarkojnë nëpunësit në shkallë të fundit, ndërsa si instancë për ankimim në rastet e shkarkimit do të jetë Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës.

Vettingu do të realizohet për mbledhjen e tri llojeve të të dhënave për gjyqtarët dhe prokurorët, të dhënat rreth aftësive profesionale dhe performancës, të dhënat rreth pasurisë dhe informata të tjera të lidhura me integritetin.

Të dhënat rreth aftësive profesionale përfshijnë rastet kur një vendim paraqet arsyeshmëri të çuditshme e të mangët, ashtu që të rezultojë në mungesë të drejtshmërisë dhe paanësisë.

Të dhënat rreth pasurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve përfshijnë verifikimin e pasurisë së deklaruar dhe kontrollin e  pasurive, ligjshmërinë e burimit të krijimit të tyre, përmbushjes së detyrimeve financiare.

Sipas koncept dokumentit vlerësimi rreth pasurisë do të jetë në drejtim të asaj se a është keqpërdorur pozita si gjyqtar/prokuror për t’i sjellë përfitime financiare vetes apo personit të tretë.

Të dhënat lidhur me integritetin përfshijnë  informatat mbi lidhjet-afërsitë politike ose me grupet e tjera të interesit të kandidatit të cilat ndikojnë në vendimmarrjen e tyre, dhe informata të tjera të mbledhura nga terreni.