Krerët e shtetit - ambasadorëve të QUINT-it: Vetingu, parakusht për forcimin e sundimit të ligjit

Krerët e lartë të shtetit të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti kanë pritur në takim ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, për të diskutuar rreth procesit të Vetingut dhe rëndësinë e forcimit të sundimit të ligjit.

Presidenca e Kosovës ka njoftuar se në takim është diskutuar bashkërendimi i institucioneve të Kosovës me shtetet e QUINT-it dhe BE-së rreth procesit të Vetingut në Kosovë.  

“Liderët institucionalë përcollën mesazhe mbi rëndësinë e patjetërsueshme dhe  jetike për ndërtim të një sistemi të qëndrueshëm dhe afatgjatë të vetingut, për të garantuar sistem të drejtësisë me integritet të lartë, profesionalizëm dhe efikasistet, i cili i përgjigjet nevojave të qytetarëve për drejtësi”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, krerët kosovarë përsëritën përkushtimin e institucioneve të Kosovës që ky proces të ndërtohet dhe zbatohet duke i respektuar standardet më të larta evropiane, të cilat garantojnë pavarësinë, efikasitetin dhe efektivitetin e institucioneve të drejtësisë, dhe për të cilat Kosova ka kërkuar opinion nga Komisioni i Venecias.