Haradinaj takohet me Escobar: Kërkova anëtarësimin me hapa të përshpejtuar të Kosovës në NATO

Deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku sot ka zhvilluar një takim me emisarin e Qeverisë amerikane për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Haradinaj tha se në takim është dëshmuar mbështetja e parezervë e Qeverisë amerikane për Kosovën.

“Në takim theksova që arritjet e deritanishme si shtet, përpos që janë meritë e sakrificës së shumë brezave ndër vite, padyshim e kanë vulën e Amerikës. Në takimin me z. Escobar u dëshmua mbështetja e parezervë e qeverisë amerikane për popullin dhe shtetin Kosovës, në veçanti në proceset nëpër të cilat po kalon vendi, duke përfshirë edhe procesin e dialogut”- ka shkruar Haradinaj.

Haradniaj thotë se nga Escobar ka kërkuar të ngrihet niveli i marrëdhënieve bilaterale, me theks të veçantë në fushën e sigurisë me anëtarësimin me hapa të shpejtë të Kosovës në NATO.

“Kërkova që të ngritet niveli i marrëdhënieve bilaterale, sidomos në fushën e sigurisë, me anëtarësimin me hapa të përshpejtuar të Republikës së Kosovës në NATO. Aleanca mes dy vendeve tona është e përjetshme dhe do të punojmë pandalur që të zhvillohet e forcohet çdo ditë”- ka deklaruar Haradinaj.