Arkiv

Haradinaj sqaron idenë për bashkim me Shqipërinë

Kandidati për deputet nga AAK, Ramush Haradinaj, e ka sqaruar idenë e tij për bashkim me Shqipërinë.

Sipas Haradinajt, nëse Kosova 25 vjet pas luftës nuk arrin të antarësohet në OKB, NATO dhe BE, duhet të bëhet referendum dhe të bashkohet më Shqipërinë si union.

“Nëse 25 vjet pas luftës pra 1 çerek shekulli që ia kemi dhënë aleatëve tonë që  ta finalizojmë statusin tonë ndërkombëtar si Kosovë, anëtare në OKB, anëtare në NATO dhe drejt integrimit europian në BE, nëse s’ka ndodh ky përparim i duhur, atëherë t’ua lëmë qytetarëve me vendos me referendum për Shqipërinë, por me union dhe kjo është logjika jonë”, tha Haradinaj në Rubikon në “Klan Kosova”.

Ai sqaroi se si union i përbashkët me Shqipërinë por pa hequr dorë nga të arriturat shtetërore.

“Pa hekë dorë nga të gjitha të arriturat shtetërore të Shqipërisë dhe Kosovës, por duke krijuar vlera të përbashkëta të unionit kushtetues dhe institucionale dhe politika të jashtme, por pa u kthye prapa, pa hekë dorë nga e kaluara, por i bashkojmë këto të arritura në një union të dyja shteteve”, tha ai.

Haradinaj ditë më parë ka dhënë propozimin e tij për bashkim me Shqipërinë përmes referendumit.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit, Haradinaj është bartës i listës së AAK-së, por synim ka postin e presidentit.