Deputetja e LVV-së, Mimoza Kusari-Lila - Foto: KALLXO.com

Kusari-Lila: Të enjten Kurti do të flasë në Kuvend për takimin e Ohrit

Kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka njoftuar se të enjten kryeministri, Albin Kurti do të flas në Kuvendin e Kosovës për takimin  në Ohër.

“Kryesia u dakordua të kemi dy seanca njëra të mërkurën më 12 me pika të pa përfunduara. Kryesia u dakordu për një seancë të re ditën e enjte, pikat e rendit pyetje parlamentare dhe deklarimet do hiqen nga rendi dhe kryeministri do të njoftojë për takimin në Ohër”- tha Kusari Lila.

Ndërsa për takimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se mos nënshkrimi nga ana e Serbisë tregon se ata nuk janë komod.

“Qëndrimi për asociacionin është i qartë, që të mos jetë në kundërshtim me Kushtetutën. Nuk mund te këtë superpakicë në Kosovë dhe nuk mund të cenohen të drejtat e komuniteteve jo shumicë”- ka thënë ajo.

Tutje, Kusari Lila ka thënë se seanca do të fillojë me votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe më pas njoftimi i kryeministrit për takimin e Ohrit.

“Për tu sjellë marrëveshja në Kuvend duhet të sillet marrëveshja e nënshkruar, deri tash nuk ka material për në Kuvendin e Kosovës. Nëse sjellët do e shqyrtojmë materialin dhe më pas vendosim se si votojmë”- është shprehur deputetja.

Më 19 mars 2023 kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq janë takuar në Ohër të Maqedonisë së Veriut, një takim trilateral të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dyja vendeve.

Pas takimit maratonë në Ohër, kryeministri Kurti ndër të tjera, tha se ashtu si më 27 shkurt edhe në Ohër Serbia i ka ikur nënshkrimit të aneksit për zbatimin e marrëveshjes.

Ai shtoi se ka pasur pajtim publik mes palëve, teksa e ka cilësuar dakordimin e arritur si njohje de facto.

Takimi trepalësh në mes të kryeministrit Albin Kurti, presidentit serb Aleksandar Vuçiq, shefit të diplomacisë evropian Josep Borrell si dhe emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka filluar rreth orës 15:30 dhe ka zgjatur për më shumë se gjashtë orë.

Përpara se të ulen së bashku në tavolinë, kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar takime bilaterale me Borrell dhe Lajçak, e të njëjtën gjë e ka bërë edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Takimi i Ohrit vie pas takimit të 27 shkurtit në të cilin palët ishin dakorduar për planin e BE-së por nuk kishin nënshkruar ndonjë marrëveshje.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve ka nisur më 2011. Bashkimi Evropian e ndërmjetëson këtë proces, ndërkaq Shtetet e Bashkuara, ndonëse nuk janë palë në dialog, e mbështesin atë.