Deliu-Kodra: Kurti bëri lojë fjalësh rreth Asociacionit

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra ka thënë se në seancën e ardhshme do të diskutohet për takimin e Ohrit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Sipas deputetes, kryeministri Kurti bëri lojë fjalësh sa i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Kurti bëri lojë fjalësh, ftoi gjuhëtarët që të tregojnë se çka është dallimi mes vetëmenaxhimit dhe vetëadministrimit. Detajet adresimet dhe shqetësimet do t’i diskutojmë në seancën e së enjtes”- ka thënë deputetja.

Ajo ka thënë se në mbledhjen e Kryesisë sot kanë propozuar ta jetë në rend të ditës pensionimi i parakohshëm në Policinë e Kosovës.

“Ky projektligj është i rëndësishëm dhe e kemi përsëritur kërkesën tonë. Nëse përfundojnë pikat e kemi edhe atë të shkarkimin e ministres Hajdari për shkak të shkeljeve të një pas njëshme”.

Më 19 mars 2023 kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq janë takuar në Ohër të Maqedonisë së Veriut, një takim trilateral të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dyja vendeve.

Pas takimit maratonë në Ohër, kryeministri Kurti ndër të tjera, tha se ashtu si më 27 shkurt edhe në Ohër Serbia i ka ikur nënshkrimit të aneksit për zbatimin e marrëveshjes.

Ai shtoi se ka pasur pajtim publik mes palëve, teksa e ka cilësuar dakordimin e arritur si njohje de facto.

Takimi trepalësh në mes të kryeministrit Albin Kurti, presidentit serb Aleksandar Vuçiq, shefit të diplomacisë evropian Josep Borrell si dhe emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka filluar rreth orës 15:30 dhe ka zgjatur për më shumë se gjashtë orë.

Përpara se të ulen së bashku në tavolinë, kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar takime bilaterale me Borrell dhe Lajçak, e të njëjtën gjë e ka bërë edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Takimi i Ohrit vie pas takimit të 27 shkurtit në të cilin palët ishin dakorduar për planin e BE-së por nuk kishin nënshkruar ndonjë marrëveshje.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve ka nisur më 2011. Bashkimi Evropian e ndërmjetëson këtë proces, ndërkaq Shtetet e Bashkuara, ndonëse nuk janë palë në dialog, e mbështesin atë.