Zemaj: Mosnënshkrimi i marrëveshjes, lojë e fshehtë mes Vuçiqit dhe Kurtit

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për mostransparencë të dialogut në kuadër të takimit të së shtunës në Ohër dhe mosnënshkrimin e një marrëveshje, të cilën Zemaj e ka quajtur “lojë të fshehtë mes Aleksandar Vuçiqit dhe Albin Kurtit”.

“Kryeministri është dashtë që vetë të dalë të raportojë para të zgjedhurve të popullit, te raportojë për takimin përfundimtar dhe për dakordimin e marrëveshjes së arritur që është në kundërshtim për ne”- ka thënë Zemaj pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, të hënën.

Zemaj ka thënë se “marrëveshja ose takimi i Ohrit ka shpërfaqë mashtrimin 15 të kryeministrit Kurti dhe LVV-së”.

“Kjo që është pa do të na kushtojë shumë, por një njeri që se ka problem të anashkaloje qëndrimet dhe t’i zhbëjë me një buzëqeshje, nuk presim diçka më mirë. Presim që qytetarët dhe deputetët të jenë në përfaqësim të denjë”- ka deklaruar Zemaj.

Më 19 mars 2023 kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq janë takuar në Ohër të Maqedonisë së Veriut, një takim trilateral të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dyja vendeve.

Pas takimit maratonë në Ohër, kryeministri Kurti ndër të tjera, tha se ashtu si më 27 shkurt edhe në Ohër Serbia i ka ikur nënshkrimit të aneksit për zbatimin e marrëveshjes.

Ai shtoi se ka pasur pajtim publik mes palëve, teksa e ka cilësuar dakordimin e arritur si njohje de facto.

Takimi trepalësh në mes të kryeministrit Albin Kurti, presidentit serb Aleksandar Vuçiq, shefit të diplomacisë evropian Josep Borrell si dhe emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka filluar rreth orës 15:30 dhe ka zgjatur për më shumë se gjashtë orë.

Përpara se të ulen së bashku në tavolinë, kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar takime bilaterale me Borrell dhe Lajçak, e të njëjtën gjë e ka bërë edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Takimi i Ohrit vie pas takimit të 27 shkurtit në të cilin palët ishin dakorduar për planin e BE-së por nuk kishin nënshkruar ndonjë marrëveshje.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve ka nisur më 2011. Bashkimi Evropian e ndërmjetëson këtë proces, ndërkaq Shtetet e Bashkuara, ndonëse nuk janë palë në dialog, e mbështesin atë.