Haradinaj: Lirimi i policëve është bërë i mundur vetëm falë ndërhyrjes së diplomacisë amerikane

Kryetari AAK-së, Ramush Haradinaj ka reaguar pas lirimit të tre policëve, të cilët për më shumë se 10 ditë u mbajtën në paraburgim në Serbi.

Haradinaj ka thënë se lirimi i tyre është lajm i mirë, por që sipas tij kjo ngjarje nuk mund të konsiderohet e mbyllur.

“As Presidenti i Serbisë e as Kryeministri i Kosovës, nuk mund t’i ikin përgjegjësisë së tyre, e cila çoi në rrëmbimin e policëve dhe mbajtjen e tyre në paraburgim e pa asnjë faj për më shumë se dhjetë ditë”- ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.

Ai tutje shtoi se policia nuk duhet të paguajë çmim për veprimet e papërgjegjshme e kalkuluese politike të regjimit në Serbi, apo të veprimeve të papërgjegjshme të qeverisë në Prishtinë.

“Lirimi i tyre është bërë i mundur vetëm falë ndërhyrjes së diplomacisë amerikane, prandaj gjithë falënderimi dhe mirënjohja jonë shkon për ta”- shkroi ai.

Policët të cilët janë liruar nga paraburgimi në Serbi kanë arritur në Kosovë përmes pikës kufitare në Merdare.

Ata janë liruar me vendim të Gjykatës së Kralevës.

Sipas njoftimit të kësaj gjykate, ndonëse është ndërprerë paraburgimi, procesi ndaj tyre do të vazhdojnë pasi iu është konfirmuar aktakuza për armëmbajtje pa leje.