Haradinaj: Lajm i mirë formimi i qeverisë

Ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, formimin e qeverisë së re të Kosovës në krye me Albin Kurtin e ka vlerësuar si lajm të mirë.

Haradinaj përmes një postimi në Facebook ka uruar që kjo qeveri e re t’i çoj përpara proceset e rëndësishme për vendin.

“Nga sot, Kosova ka hyrë në një fazë të re me krijimin e institucioneve. Votimi i Qeverisë së re nga ana e Parlamentit të Kosovës është lajm i mirë për gjithë qytetarët tanë. Uroj që ky konstalacion politik të arrij t’i çoj përpara proceset e rëndësishme për vendin”, ka thënë ai.

Haradinaj ka sqaruar se dorëzimi i mandatit të tij do të bëhet formalisht nga ish-zëvendësi i tij Behgjet Pacolli.

“Në këto ditë, unë po qëndroj për një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një agjendë që është caktuar shumë kohë më përpara dhe kësisoj pranim – dorëzimi i mandatit, formalisht do të bëhet nga ana e ZëvendësKryeministrit të parë z. Behgjet Pacolli, të cilën procedurë tashmë e kam autorizuar. Edhe njëherë shpreh besimin që Qeveria e re, t’i dalë zot temave të rëndësishme për qytetarët tanë”, thuhet në publikimin e tij.

Partia e Haradinajt, AAK-ja nuk e ka votuar formimin e Qeverisë Kurti.

Albin Kurti është zgjedhur kryeministër i ri i Republikës së Kosovës me 66 vota për, 10 abstenime.

Albin Kurti zgjidhet kryeministër i Kosovës