Ish-Kryeministri Ramush Haradinaj dhe ish-Presidenti Hashim Thaçi

Haradinaj: Intervistimi i Thaçit si president ndikon në sovranitetin e shtetit

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka deklaruar se do të vepronte njëjtë sikurse një vit më parë kur është dorëhequr nga posti i kryeministrit për t’iu përgjigjur ftesës së Gjykatës Speciale.

Haradinaj në Rubikon të Klan Kosovës ka thënë se nuk do ta dërgonte “asnjëherë aspekte të sovranitetit para hetuesve”.

Krahas kësaj, ai është shprehur optimist se Thaçi do të jap dorëheqje në rast se i konfirmohet aktakuza nga Specialja.

“Dorëheqja nuk duhet të shihet si një afat i caktuar kohor, a është në ditën e parë apo në ditën kur ngitet aktakuza, por mund të vijë ajo ditë nëse konfirmohet aktakuza kur presidenti do ta merr vendimin e tij pra për dorëheqje, unë vendimin e kam marrë në ditën e parë ndërsa edhe presidenti në aspektin kohor mund ta kalkuloj, por kur të ngritët aktakuza ai ashtu siç ka deklaruar edhe vetë ai do të jap dorëheqje”, tha Haradinaj.

“Ka ndikime në sovranitetin, në aspektin e integritetit shtetëror e të gjitha këto kur merret presidenti në pyetje”, tha ai.

Më 19 korrik 2019, Haradinaj kishte dhënë dorëheqje nga posti i kreut të ekzekutivit pasi kishte marrë ftesë nga Gjykata Speciale për t’u intervistuar në cilësinë e dëshmitarit.

Në anën tjetër, presidentit të vendit Hashim Thaçit më 24 qershor 2020 i është ngritur një propozim-aktakuzë nga Dhomat e Specializuara për krime lufte dhe kundër njerëzimit. Thaçi ka deklaruar se në rast që aktakuza konfirmohet do të jap dorëheqje.