Haradinaj: Ç'është ky njeri që e sulmon median, shkarkimi i Kurtit është detyrë kombëtare
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka reaguar lidhur me deklarimet e kryeministrit Albin Kurti, pas bastisjes dhe arrestimit të dy zyrtarëve në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Haradinaj ka thënë se Kurti po e sulmon sistemin e drejtësisë dhe mediat.
Ai ka thënë se shkarkimi i kryeministrit Kurti është detyrë kombëtare.
“Ç’ është ky kryeministër që e lufton sistemin e drejtësisë të shtetit të vet e i mbron “dosllarët” e krimit! Ç’është ky njeri që e sulmon median e shtetit ku vet është kryeministër, veç pse ato i’a zbulojnë hajnitë e miqtë matrapazë! Ky njeri që vjedhjen e bukës së popullit, mundohet ta mbulojë me “borën e parvjeme”! Çka duhet të ndodhë tjetër që ju që keni votë, që keni zë, që keni mendje e zemër dhe që e doni Kosovën, të bindeni se shkarkimi i këtij njeriu, sot është detyrë kombëtare!”- ka thënë Haradinja.
Pas aksionit të sotëm të Prokurorisë Speciale në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, dhe arrestimin e tre të dyshuarve për keqpërdorime me rezeva shtetërore, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka akuzuar edhe mediat në mesin e siç i quajti ai “elita e vjetër dhe e korruptuar”, si humbës në vend.
Kurti në reagimin përmes një video-incizimi, pas zhvillimeve në MINT, tha se humbësit gjenden tek “mediat e keqpërdoruara pёr mbёshtetje tё krimit”.
Ai ka theksuar se nuk ka kurrfarë keqpërdorimi apo korrupsioni dhe se ka besim të plotë në ministren e MINT-it, Rozeta Hajdari.