Kurti akuza ndaj mediave: Humbësit i gjeni te mediat e keqpërdoruara për mbështetje tё krimit

Pas aksionit të sotëm të Prokurorisë Speciale në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, dhe arrestimin e tre të dyshuarve për keqpërdorime me rezeva shtetërore, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka akuzuar edhe mediat në mesin e siç i quajti ai “elita e vjetër dhe e korruptuar”, si humbës në vend.

Kurti në reagimin përmes një video-incizimi, pas zhvillimeve në MINT, tha se humbësit gjenden tek “mediat e keqpërdoruara pёr mbёshtetje tё krimit”.

Ai ka theksuar se nuk ka kurrfarë keqpërdorimi apo korrupsioni dhe se ka besim të plotë në ministren e MINT-it, Rozeta Hajdari.

“Përderisa fitues janë gjithë qytetarët e vendit (familjet përmes shtesave universale pёr fёmijё, nёnat lehona, përfituesit e ndihmave sociale, të rinjtë, studentët, punëtorët, pensionistёt, tё papunёt, bizneset e rregullta) humbësit janё tё paktё nё numёr, por jo pak tё organizuar”- potencoi Kurti.

“Humbësit i gjeni tek elita e vjetër dhe e korruptuar politike, te gjykatës dhe prokurorë të saj, te mediat e keqpërdoruara pёr mbёshtetje tё krimit. Edhe pse tё paktё nё numёr, pёrfitimet e tyre kanё qenё shumëmilionёshe, andaj edhe nuk kanё se si mos tё ndihen humbës tё mëdhenj”- shtoi ai.

Kurti qeverisjen e tij e ka cilësuar si “ me ndërgjegje të pastër e punë të mira”, teksa shton se ka prodhuar fituesit dhe humbësit e saj.

“Qeverisja jonë me ndërgjegje të pastër dhe punë të mira natyrisht se përbën ndryshim rrënjësor karshi qeverisjes 20 vjeçare tё Kosovёs. Si e tillë ajo domosdo prodhon si fituesit ashtu edhe humbësit e saj”- ka thënë Kurti.

Raportimi për keqpërdorime me rezervat shtetërore ishte publikuar në gazetën online “Nacionale”.

Kjo media online kishte publikuar audio-incizime në të cilën sipas publikimit dëgjohen dy zyrtarë të MINT-it të cilët pretendojnë se vaji i paguar nga Polonia, nuk iu bashkua rezervave shtetërore.

Përgjatë adresimit të tij, kreu i ekzekutivit ka mohuar të ketë korrupsion e keqpërdorime, duke thënë se ka besim të plotë në punën e ministres së MINT-it, Rozeta Hajdari.

“Nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi. Unë kam besim të plotë në Ministren Rozeta Hajdari dhe në punën e saj. Pas luftës në Ukrainë, kur kishte krizë globale, ministria që ajo drejton, i ka blerë rezervat dhe i ka mbushur depot në një kohë kur të gjithë kufijtë ishin mbyllur e pothuajse të gjitha shtetet kishin ndaluar eksportin”- ka deklaruar Kurti.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se nga aksioni i sotëm në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) në pranga kanë përfunduar 3 persona të dyshuar.

Ata janë arrestuar nën dyshimin për veprat “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, si dhe “Dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të Keqpërdorimit të detyrës zyrtare’’.

“Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Policia e Kosovës – Njësia e Veçantë e Hetimeve, ka realizuar sot bastisje në lokacione të ndryshme në Prishtinë, ku kanë arrestuar tre (3) persona me inicialet  R.M. H.G dhe I.L”- thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Tutje, Prokuroria ka bërë të ditur se gjatë bastisjes janë siguruar dhe sekuestruar prova materiale të cilat do të përdoren për procedurë të mëtutjeshme hetimore.

Të njëjtit, sipas njoftimit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, do të dërgohen në mbajtje për 48 orë, si dhe brenda afateve ligjore kohore do të bëhet kërkesë për caktimin e paraburgimit.

Mëngjesin e së premtes, Policia kishte aksion në MINT dhe në pronat e Ridvan Muharremit, i cili më vonë edhe u arrestua.

Këto bastisje erdhën pas një publikimi të një audioincizimi të medias ‘Nacionale’ për rezervat shtetërore.

Dy zyrtarët e MINT, Hafiz Gara dhe Irfan Lipovica dëgjohen në disa audio-incizime të siguruara nga mediumi “Nacionale” duke thënë se vaji i paguar nga shteti i Kosovës nuk ka ardhur nga Polonia në Kosovë edhe pse për atë sasi shteti kishte paguar.