Çerdhja e fëmijëve "Pëllumbat e Paqes" në Pejë - Foto: KALLXO.com

Hapjen apo jo të çerdheve, qeveria e lë në dorë të komunave

Në mbledhjen elektronike të Qeverisë të mbajtur sot, janë ashpërsuar masat, për luftimin e përhapjes së COVID-19.

Sipas vendimit të Qeverisë, është në dorën e komunave funksionimi i çerdheve.

“Ushtrimi i veprimtarisë së çerdheve publike dhe private në tërë territorin e Republikës së Kosovës lejohet pas vlerësimit dhe mbikëqyrjes nga autoritetet komunale, në përputhje me Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Gjithashtu, Qeveria ka marrë vendim që të ndalhet grumbullimi i qytetarëve në numër  prej më shumë se 5 personash në sheshe publike dhe në parqe.

Po ashtu, bëhet e ditur se  duke filluar nga ora 22:30 deri në orën 05:00 të mëngjesit, ndalohet qarkullimi i personave fizikë jashtë shtëpive të tyre në komunat: Prishtinë, Prizren, Pejë, Podujevë, Gjakovë, Ferizaj, Lipjan, Drenas, Vushtrri, Mitrovicë e Jugut, Gjilan, Fushë Kosovë dhe Shtërpcë.

Sipas njoftimit të Qeverisë, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka pranuar rekomandimet e IKSHPK-së, për ndërmarrjen e masave të reja.

 

Qeveria ashpërson masat ndaj përhapjes së COVID-19