Albin Kurti, Foto: Lëvizja Vetëvendosje, 17.06.2024
Kurti 'parashikon' fitoren e VV-së në zgjedhjet e tjera duke marrë si shembull ekipin e Suharekës në futboll
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh shefi i ekzekutivit, në një takim me strukturat e kësaj partie tha se Qeveria e udhëhequr nga ai pati suksese në shtrirje të sovranitetit e luftimit të krimit e korrupsionit.
Kurti gjatë një takimi me strukturat e partisë së tij tha se u punua në “përmirësimin e standardit të financiar e ekonomik, krijimin e hapësirave për biznes e në përmirësimin e insfrastrukturës”.
Ai foli për zgjedhjet e ardhshme që pritet të mbahen në 2025-en, për të cilat tha se “nuk mund t’i shtyejë opozita pafundësisht”
“Në vitin 2025 do t’i kemi zgjedhjet e ardhshme lokale e do i kemi edhe ato parlamentare meqenëse opozita nuk mund t’i shtyej ato pafundësisht” – deklaroi Kurti mes tjerash.
Ndërlidhur me fitoren në zgjedhje, ai mori shembullin nga futbolli pasi siç tha ai, është edhe koha e europianit “Euro 2024”.
“Ta marrim si shembull një ekip të suksesshëm futbolli, Ballkanin e Suharekës. Nga zgjedhjet qendrore e lokale le ta fitoj Vetëvendosja në vitin 2025 edhe Kampionatin edhe Kupën” – deklaroi Kurti, teksa kërkoi edhe “lojë ekipore e shkëlqim individual”. Ballkani ka fituar Superligën e Kosovës për tri herë radhazi. Në vitin 2024 fitoi edhe Kupën e Kosovës.
Partitë opozitare në Kosovë nuk kanë arritur të bëhen një zëri për rrëzimin e Qeverisë Kurti.
Derisa PDK ishte për shpërbërjen e Kuvendit, rrjedhimisht shkuarjen në zgjedhje, LDK e AAK kanë refuzuar një opsion të tillë duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurti.
Zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 14.02.2021 dhe në fillimvitin 2025 sipas ligjit duhet të mbahen zgjedhjet e reja.
Artikulli është përditësuar më 17.06.2024, në orën 23:17 duke bashkangjitur postimin e plotë të Albin Kurtit në formën ’embed’